Lajme

Veliu uroi të korra të begatshme për bujqit llapjanë

Autori: Gazeta inFokus 15:26 | 12 July 2017

Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar sot arat me grurë të fermerëve të fshatit Balloc, ku është duke u zhvilluar fushata e korrje-shirjeve.

Në komunën e Podujevës është duke u zhvilluar fushata e korrje-shirjeve, kurse për të përcjellë nga afër këtë fushatë kryetari i Komunës, Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu, kanë vizituar fshatin Balloc.

Duke u uruar të korra të begatshme, kryetari Veliu shprehu bindjen se edhe sivjet do të ketë rendimente të mira të grurit për bujqit llapjanë, për të sjellur në sofrat tona produkte cilësore.

-Advertisement-

Kryetari Veliu tha se Podujeva është komunë bujqësore, andaj në vazhdimësi po i jepet prioritet bujqësisë, duke rritur edhe buxhetin e subvencionimeve në Drejtorinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Po vazhdojmë me rritjen e buxhetit në sektorin e bujqësisë në mënyre që përkrahja e Komunës të shkojë deri tek secili bujk që dëshiron ta punojë tokën”, tha kryetari Veliu.

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Komunës së Podujevës (DBPZHR), Avni Fetahu, tha se sivjet gruri është i cilësisë së mirë dhe rendimentet sillen prej katër deri në pesë ton për hektar.

Sivjet në komunën e Podujevës kanë qenë të mbjellura gjithsej 4, 125 hektarë me grurë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera