Lajme

Veliu reagon ashpër ndaj lajmit të dorëheqjes së 27 kryetarëve të nëndegëve të LDK-së

Autori: Gazeta inFokus 20:54 | 04 December 2019

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu ka reaguar ndaj lajmit i cili po qarkullon se 27 kryetar të nëndegëve kanë dhënë dorëheqje.

Sipas Veliut, i cili udhëheq me Komunën e Podujevës, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë i ka rezistuar edhe më parë “mësymjeve më të forta nga rivalët politikë”, por është shprehur i bindur në unitetin e partisë në këtë komunë, shkruan gazeta inFokus.

“Në epokën e shumësisë së mediave online, një portal lokal në Podujevë, me pronar një këshilltar komunal dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale nga Lëvizja Vetëvendosje, në vazhdimësi propagandon dhe plason lajme që atakojnë administratën komunale në Podujevë, veçmas ekzekutivin dhe kryetarin e Komunës, por edhe LDK-në.

-Advertisement-

Ndërsa, sot për të mos u mjaftuar me kaq, ky portal paska plasuar një rrenë të madhe, me gjuhën e mediave ‘fake neës’, për kinse përçarjen e madhe në Degën e LDK-së në Podujevë, e që, sipas portalit, “27 kryetarë të nëndegëve na paskan dhënë dorëheqje”.

“Lajmi” i plasuar sot nga ky portal, e të cilin shpejt e konsumuan edhe portale të tjera, madje edhe nga ato që konsiderohen si serioze e të besueshme, nuk është kurrgjë tjetër veç një shpifje dhe rrenë, të cilën nuk do ta besojë askush.

Pavarësisht, se kush është porositësi, e kush sajuesi i kësaj të pavërtete, atyre që dëshirojnë përçarjen dhe destabilizimin e partisë kryesore në Llap, ua bëjmë me dije se LDK në Llap, u ka rezistuar edhe mësymjeve më të forta nga rivalët politikë, prandaj as nuk luhatet e as nuk përçahet, nga lajme që sajohen në kuzhinat anti-LDK.

Dega jonë gjithmonë ka funksionuar e organizuar mirë dhe ka korrur vetëm fitore. Për këto rezultate meritë kryesore ka struktura dhe aktivistët e saj anekënd në Llap.

E tillë do të mbetet gjithmonë.

Prandaj, ftojmë strukturat, anëtarët dhe simpatizantët, të mos të bien pre e lajmeve të rreme, të cilat kanë qëllim që ta dëmtojnë LDK-në” është shprehur Veliu.

Të mërkurën në mbrëmje mediat lokale raportuan se 27 kryetarë të nëndegëve të LDK-së kanë dhënë dorëheqje ndaj paknaqësive kundrejt kryetarit aktual të degës, Agim Veliut. /Gazeta inFokus/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera