Lajme

Veliu: Nuk përjashtojmë mundësinë që LDK të qëndrojë në opozitë

Autori: Gazeta inFokus 16:50 | 13 June 2017

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Agim Veliu, nuk po ndihet mirë që LDK-ja ka dalë e treta në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në një prononcim për Kallxo.com, Agim Veliu tha se nuk ka shumë dallim nga zgjedhjet e kaluara.

“Për mu nuk është ndjenjë e mirë me dalë partia e tretë LDK-ja. Bile nuk më vjen mirë me dalë as e dyta. Por rezultatet preliminare janë këto, tash të shohim. Nuk ka diçka dallim prej zgjedhjeve të fundit, këtë përqindje e kemi pasë edhe pse kemi hy në njëfarë koalicioni parazgjedhor nuk është vërejtur ndonjë rritje në këtë aspekt”, theksoi nënkryetari i LDK-së.

-Advertisement-

“Neve na mbetet me u ulë, me analizu edhe me dalë me një qëndrim”, tha Veliu duke shtuar se ata do t’i shqyrtojnë rezultatet pas përfundimit të procesit dhe pastaj do marrin një qëndrim si kryesi.

Veliu thotë se koalicioni LDK-AKR-Alternativa në asnjë variant nuk do të bashkëpunojë me PDK-në.

“Me PDK-në jo, në asnjë variant me ta, ndërsa me të tjerët ne nuk kemi qëndrim ende, por nuk do të thotë që qeverisim me këdo e me çfarëdo forme”, shtoi ai.

Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që LDK të shkojë në opozitë.

“Nëse ne si LDK vlerësojmë se qëndrimi në opozitë i bën hair LDK-së,  ne mund të vendosim pa problem me qëndru në opozitë”, tha Veliu duke shtuar se ata do të punojnë në fuqizimin e LDK-së dhe se do t’i nxjerrin mësimet e nevojshme prej veprimeve të deritanishme.

Sipas rezultateve zyrtare, të prezantuara nga KQZ pas numërimit të 99.88% të votave, koalicioni i drejtuar nga LDK është radhitur i treti me 25,79% të votave, prapa koalicionit PDK-AAK-Nisma që ka fituar më së shumti vota – 33,91% dhe Lëvizjes Vetëvendosje – 27,16%.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera