Lajme

Velipoja, rritje çmimesh dhe probleme për hapësirat publike të plazheve

Autori: Gazeta inFokus 12:44 | 12 July 2017

Velipoja mbetet një ndër destinacionet më të rëndësishme turistike gjatë stinës së nxehtë. Në një monitorim të publikuar para pak ditësh uji i plazhit të Velipojës konsiderohej mjaft i pastër. Por, dhe pse frekuentohet së tepërmi dhe natyra i ka dhuruar shumë kësaj zone, problematikat janë të prekshme. Edhe gjatë këtij sezoni veror që ka nisur rruga Shkodër-Velipojë do të vazhdojë që të qëndrojë e amortizuar në disa pjesë të saj. Në gjatësi të ndryshme derisa përfundon në plazhin e Velipojës rruga është e dëmtuar pavarësisht disa ndërhyrjeve për mbylljen e gropave. Ky segment është ndër më të rëndësishmit në vend për sa i përket të paktën muajve të sezoni turistik, sepse numri i pushuesve të huaj apo edhe atyre vendas është mbi 100 mijë në disa raste edhe brenda ditës.

Rruga e Velipojës ka mungesë të theksuar edhe për sa i përket sinjalistikës, apo edhe mbrojtësve anësore, duke sjellë vështirësi për shoferët. Me rrezik është edhe mungesa e mbrojtësve anësore dhe fare thjeshtë mjetet motorike mund të përfundojnë në kanale. Rikonstruksioni i rrugës së Vilunit në njësinë administrative të Velipojës është në varësi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në rast se alokohen fondet atëherë aksi i Vilunit në të cilin përshkohen një numër i madh pushuesit në plazhin e Velipojës mund të rikonstruktohet brenda një kohe të shkurtër në të kundërt atëherë duhet pritur viti i ardhshëm për ta parë të përfunduar. Kjo rrugë është burim aksidentesh.

Këtë sezon turistik pritet që të ketë godinë për qendrën shëndetësore në Rrjoll ndryshe nga vitet e kaluara kur ky shërbim ka munguar aty. Disa shërbime janë përmirësuar në plazhin e Velipojës, gjë e cila pritet të ndikojë tek ardhja e më shumë turistëve dhe pushuesve gjatë muajve të verës. Pastrimi është i kënaqshëm dhe pse akoma sezoni nuk është në pikun e tij pasi është në fillim, pushuesit janë të kënaqur. Një problematikë e shfaqur ndër vite në këtë bregdet është mungesa e hapësirave publike në plazh, gjë për të cilën është angazhuar Bashkia Shkodër. Në bashki është hapur procesi i aplikimit të stacioneve të plazhit, dhe pasi është mbyllur ai është përgatitur harta e hapësirave publike dhe stacioneve me qira. Tek zyra urbanistike ndodhet harta që përcakton sa metër do të jenë plazhe publike dhe sa do të shfrytëzohen për stacione plazhi.

-Advertisement-

Në total në Velipojë janë 180 stacione plazhi me nga 900 m2 secila. Nga këto 50 janë për hapësirë publike, ndërsa 130 në dispozicion të biznesit. Kjo do të thotë se kërkesat janë për më shumë se 130 stacione plazhi, por bashkia Shkodër nuk do t’i miratojë të gjitha, duke respektuar hapësirën publike që minimalisht është 20%. Bashkia Shkodër ka ngritur disa grupe vlerësimi për ndarjen e hapësirave me qëllim vendosjen e shezloneve në bregdet. Një pjesë e kësaj hapësire zotërohet nga rrjeti i hotelerive dhe restoranteve, ndërsa pjesa tjetër nga kontraktorë që zhvendosin aktivitetin e tyre për 3 apo 4 muaj në plazhin e Velipojës. Ndër vite, mungesa e hapësirave publike është përcjellë me shqetësim qytetar nga ana e pushuesve. Turistët e përhershëm janë të Shkodrës, nuk mungojnë edhe ata nga Kosova. Për turistët e huaj mund të themi se janë të rrallë, edhe sivjet duket se janë më të shumtë në numër.

Çmimet e rritura

Çmimet në plazhin e Velipojës kanë pësuar rritje në krahasim me një vit më parë. Kështu akomodimi vetëm me fjetje shkon nga 30-60 euro, ndërsa në hotele shkon dhe më lart. Ndër banesa periferike, larg qendrës së plazhit po në ato ku duhet makinë për të shkuar në plazh,çmimi është 20-25 euro. Hotelet aplikojnë çmime të ndryshme në varësi, jo vetëm të dhomave akomoduese, por dhe përfshirjes së ushqimit në to. Çmimet e shezloneve në qendër janë 700 lekë të reja dita, në periferi 500 lekë të reja dita. Rritje çmimesh ka dhe në produktet e tjera, kryesisht ato ushqimore, në krahasim me Shkodrën, ndonëse jo në vlerë të madhe. Velipoja afron mundësi të ndryshme argëtimi dhe këtë vit ka dhe lojëra në det. Shërbimi shëndetësor funksion në rregull. Qendra e plazhit mirëmbahet, ndërsa në rrugët dytësore të tij ka probleme, pasi jot ë gjitha janë të asfaltuara.

Përveç Velipojës, në Shkodër ka dhe plazhe të tjera, kryesisht ditore. Shiroka e Zogaj frekuentohen, por akomodim disa ditor afron më së shumti Zogaj dhe pse jo në cilësinë e duhur dhe më së shumti janë shtëpi banimi që vihen në funksion të pushuesve. Këtu çmimet janë më të lira, variojnë nga 20.000-30.000 për dy javë, në pikun e sezonit. Rruga e ngushtë dhe mosfunksionimi i rregullt i shërbimit urban, vetëm 3 herë në ditë, bën që të mos ketë shumë frekuentim në Zogaj, pavarësisht veçorive klimaterike. Shiroka frekuentohet kryesisht nga pushues ditor, që më së shumti shkojnë atje me biçikleta ose mjetet e tyre, pasi dhe rruga është plotësisht e asfaltuar, me trotuar dhe e përshtatshme. Çmimet e produkteve , përveç ato të restoranteve janë njëlloj si në qytet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera