Fokus

“Veç t’i blej mobiljet edhe menjëherë do të kthehem” – Zahir Mehmeti i emocionuar që pas gati një qerek shekulli iu rindërtua shtëpia veri të Mitrovicës

Autori: Sylejman Sylejmani 09:24 | 11 July 2024

Zahir Mehmeti është i lumtur që pas gati një qerek shekulli, po kthehet për të jetuar në shtëpinë e tij në veri të Mitrovicës.

Punimet pothuajse kanë përfunduar dhe kështu ëndrra e Mehmetit më në fund po realizohet.

“Ja pra këtu janë të gjitha të kryera, pos ka mbetë edhe kjo pjesa e hymjes këtu me u rregullu. Edhe pas rregullimit kismet me ardhë në shtëpijat tona. Pas 24 viteve jemi duke u kthy në shtëpitë tona. Në qat moment që të arrij me i ble mobiljet, 24 orë poshtë nuk rri më. Tash kanë mbetë edhe disa punë të vrazhda me i kry që mua më takojnë, këta e kanë kry procedurën që e kanë pas sipas projektit, mua më kanë mbetë edhe disa punë të mijat”, tregon Mehmeti.

-Advertisement-

 

 

Përgjatë 24 viteve të pas luftës, Zahir Mehmeti me familjen e tij jetuan me qera në jug të Mitrovicës.

Tash ai është përfitues i një prej shtëpive të cilat po ndërtohen nga qeveria e Kosovës.

“Shtëpija ka nis me u ndërtu dikund prej marsit. Tash është veç në përfundim, pjesën e vet e ka kry qeveria, pos këtë pjesën time çka ka mbetë oborri edhe disa pjesë të tjera. Me qera kemi qenë prej përfundimit të luftës. Qe 24 vite me qera jemi… Ata më së miri e dijnë banorët e pjesës veriore me qenë refugjat në qytet tëndin. A ka gjë ma zi? Ne kemi qenë refugjat pa kurfar ndihme, kush ofru ndihmë neve nuk ka, deri tash që na i kanë jep këto shpija. Do të thotë qe 24 vite kurfar ndihme nuk kemi pas prej shtetit, e as kurfar mbrojtje. Po qysh mos me qenë i lumtur kur po kthehesh në vendin tënd. Një vend ku je rritë edhe ku ke lindë. A ka lumturi ma të madhe, lumturi më të madhe nuk ka”, thotw ai.

Rikthimi në lagjen “Kodra e Minatorëve”, Mehmeti thotë se po ndodhë në një kohë kur edhe siguria është në nivel më të lartë.

“Kurfar problemi nuk kemi, as me serbë, as me shqiptarë, as me kërkënd. Sa i përket sigurisë, siguria është shumë në nivel të lartë. Bile mundem me garantu se më qetë është këndej sesa në jug. Tash ndoshta dikush nuk e beson, ama kjo shumë e vërtetë është. Ma qetë tash për tash është këtu se në jug, siguria është në nivel shumë të mirë. Edhe ju bëj apel të gjithë banorëve të kthehen pa pikë problemi, prona e vet, duhet me u kthy në pronë të vet gjithkush”, flet i bindur Mehmeti.

Përkundër investimit të qeverisë, Mehmetit iu desh që një pjesë të hapësirës ta rregulloj me mjete vetanake.

“Tash na ka mbetë me e rregullu edhe hymjen këtu për teracë, për me u kyç në shtëpi, edhe duhet me e rregullu këtu një pjesë të shkallëve për me zbritë në podrum, në katin e parë. Se mua mu ka deshtë patjetër me investu prej vetes që t’i bëj këta podruma, se nuk ka mujtë me u ndërtu ai 75 metërshi që na e ka jep Qeveri, sepse ka qenë përpara kështu, në këtë pozitë. Do të thotë nuk e kanë jep këtë katin poshtë, por mua mu ka deshtë që me investime të mijat me e bo këtë pjesën këtu, për me mujtë atë 75 metërshin me e ndërtu, do të thotë me u bo baza për të”, tregon ai.

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me katër komunat veriore, kanë rinisur ndërtimin e shtëpive për banorët që u shpërngulën nga veriu si shkak i luftës.

Deri tash janë ndërtuar dhjetëra objekte banimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera