Lajme

Veç një nga pesë emrat më të përdorur për fëmijët e lindur gjatë 2020-ës është shqip

Autori: Gazeta inFokus 11:07 | 02 January 2022

DUA – ky është i vetmi emër në gjuhën shqipe që është në mesin e pesë emrave më të përdorur për fëmijët e lindur gjatë vitit 2020, si për vajza ashtu edhe për djem.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se cilët janë emrat që iu vendosën më së shumti të posalindurve gjatë vitit pandemik.

335 vajza u quajtën Ajla dhe 305 djem Ajan duke i bërë këta emrat më të përdorur. Ndërsa 237 vajzave iu la emri Alea, 215-ëve Asja, Dua u emërtuan 211 dhe Inara 188. Në anën tjetër 272 të posalindur u quajtën Tian, 238 Amar, Noar u emërtuan 231 dhe Omer 212.

-Advertisement-

Ndikim që kosovarët të zgjedhin emrat e huaj, dhe jo ata shqip, për fëmijët e tyre besohet se ka pasë rrjedha e ndryshimeve dhe zhvillimeve sociale, politike, ekonomike dhe kulturore.

Sociologu Ferdi Kamberi ka thënë për Klan Kosova se në kohën e procesit të globalizimit është problem t’iu iket emrave modernë.

“Sociologët janë të mendimit se faktorë si ndryshimet dhe zhvillimet sociale të cilat ndodhën në Kosovë, migrimi dhe kontakti me kultura të ndryshme, teknologjia informative (përdorimi i internetit me mbi 93% ku Kosova konsiderohet si shteti lider në rajon për nga numri i përdoruesve të internetit në raport me numrin e banorëve), pastaj ndikimi i filmave, programet e ndryshme televizive, komunikimi me fizik dhe virtual me kulturat tjera, ndikimi i serialeve nga kultura dhe shoqëri të tjera, portretizimi i figurave publike dhe të tjera janë disa nga faktorët që kanë ndikuar që gjeneratat e reja të kenë emra krejtësisht të tjerë në raport me të kaluarën”.

Ai tha se emrat kanë shumë rëndësi në personalitetin e njeriut sepse, sipas tij, prindërit duhet t’iu vendosin emra me kuptim të bukur fëmijëve të tyre në mënyrë që ata gjatë jetës të mos ndjehen në pozitë të pafavorshme apo inferiorë, si dhe të mos kenë komplekse.

Kurse psikologia, Ardiana Gajtani, faktor më të fuqishëm të ndikimit në emërimin e fëmijëve e konsideron sistemin e jetesës në komunitet, mentalitetin, atdhedashurinë dhe fenë.

“Dihet që kultura evropiane në kohët e fundit ka pasur një ndikim shumë të madh në vendin tonë, andaj nuk është për t’u habitur rezultati i statistikave. Sikur të investonim ne si popull në edukim të hershëm kualitativ të brezave paraardhës, çështja e emërtimit nuk konsideroj se do të çonte drejt asimilimit dhe humbjes së vlerave”, ka deklaruar ajo.

Gjatë vitit 2020, apo siç njihet si viti pandemik, janë regjistruar 21 mijë e 907 lindje brenda territorit të Kosovës, nga të cilat 11 mijë e 340 ishin meshkuj ose 51.8%, dhe 10 mijë e 567 ishin femra ose 48.2%.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hej, hej, hej, erdhi Black Friday me zbritje deri në 75% në Comodita Home
-Advertisement-

Të tjera