Lajme

Vdekja tragjike e Liam Payne, flet ish-truproja i tij shqiptar: Qava si fëmijë, e kisha si djalë

Autori: Gazeta inFokus 11:14 | 18 October 2024

Joni Proni, i cili për 14 vite ka shërbyer si truproja personal i Liam Payne, ish-anëtarit të grupit të famshëm One Direction, ka ndarë emocionet e tij pas lajmit tragjik të vdekjes së këngëtarit.

Në një intervistë për emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH, Proni u shpreh se ka qenë i shokuar dhe thellësisht i prekur nga humbja e Liamit, të cilin e përshkroi si një njeri të mrekullueshëm dhe të dashur.

Sipas Pronit, Liam ishte një person i mbyllur dhe kishte vuajtur prej vitesh nga problemet me alkoolin. Ai tregoi se shpesh e kishte kritikuar këngëtarin për këtë zakon dhe madje i kishte hequr alkoolin nga dora, duke u përpjekur ta ndihmonte. “Unë e doja si djalin tim,” tha Proni, “por kohët e fundit kam qenë shumë i shqetësuar për të”.

-Advertisement-

Proni fajësoi industrinë e muzikës për ndikimin negativ që kishte mbi Liamin, duke e përshkruar atë si një mjedis të mbushur me njerëz të degjeneruar. Ai beson se presionet dhe sfidat e industrisë luajtën një rol të madh në veset e Liamit dhe tragjedinë që pasoi.

“Po të isha me të, Liami do të ishte gjallë sot,” tha Proni i përlotur, duke kujtuar se këngëtari gjithmonë e trajtonte me respekt dhe dashuri. “Ishte një djalë i thjeshtë, që të ftonte në shtëpi dhe të bënte të ndiheshe pjesë e familjes.”

Ngjarja e rëndë ka tronditur botën e muzikës dhe fansat e Liam Payne, ndërsa ish-truproja i tij mban zi për një person të cilin e konsideronte si një pjesë të jetës së tij për më shumë se një dekadë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera