Lajme

Vdekja e një personi në stacionin policor në Suharekë, IPK rekomandon suspendimin e një rreshteri dhe dy policëve

Autori: Gazeta inFokus 13:33 | 04 July 2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Stacionin Policor të Suharekës, ku një person i ndaluar si i dyshuar për dhunë në familje ka ndërruar jetë brenda dhomës së ndalimit, shkruan Gazeta Infokus.

Lidhur me këtë rast tragjik, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të tre zyrtarëve policorë – një rreshteri dhe dy zyrtarëve të tjerë, të gjithë pjesë e Stacionit Policor në Suharekë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

“Bazuar në pozitat dhe përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve në fjalë, si dhe nga veprimet e ndërmarra hetimore, në këtë fazë ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet apo mosveprimet e tyre mund të ketë pasur neglizhencë të mundshme në përmbushjen e detyrave zyrtare, veçanërisht në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar,” thuhet në komunikatën e IPK-së.

-Advertisement-

Sipas këtij institucioni, suspendimi i përkohshëm është një masë mbrojtëse që ka për qëllim ruajtjen e integritetit të hetimeve dhe shmangien e çdo ndikimi të mundshëm në procesin hetimor.

“IPK, në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojë të ndërmarrë veprime hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave që ndërlidhen me këtë rast, i cili aktualisht po trajtohet si hetim i vdekjes,” thuhet tutje në njoftim.

Vdekja e të ndaluarit dhe veprimi i IPK-së kanë ngritur shqetësime për standardet e sigurisë në ambientet e ndalimit policor dhe për përgjegjësinë institucionale në garantimin e jetës dhe të drejtave të personave në mbajtje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Risi në foleja.com! Prej 49.99€ bleni dyshekët Nouve Blanc dhe përfitoni transportin falas me DHL
-Advertisement-

Të tjera