Fokus

“Vdekja e dyshimtë” e gruas nga Istogu, flet prokuroria

Autori: Xhejlane Kaçiu 19:05 | 16 January 2019

“Vdekjen e dyshimtë” të gruas nga Vrella e Istogut prokuroria po e konsideron si të natyrës urgjente.

Në lidhje me rastin e vdekjes së Florie Pelaj Maxharraj për inFokus ka folur Ibrahim Berisha, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Berisha tha se ky rast është i natyrës urgjente, prandaj fillimisht u trajtua nga prokurori kujdestar.

-Advertisement-

Fillimisht më këtë rast është marrë Shkëlzen Ibrahimi, prokurori kujdestar i cili ka dhënë urdhrin për obduksion, shkruan gazeta inFokus.

“Prokurori kujdestar, Shkëlzen Ibrahimi, ka kontaktuar me kryeprokurorin e Pejës edhe janë pajtuar që urdhëresën për obduksion ta lëshoj prokurori në Prishtinë dhe pas kësaj lënda të kaloj tërësisht në kompetenca të Pejës, për shkak se Istogu ka vetëm gjykatë, e jo prokurori, atëherë rasti i takon rajonit Pejës”, tha Berisha për gazetën inFokus.

Në bazë të informacioneve të deri tashme, Berisha tha se ende nuk është vërtetuar se çka i ka shkaktuar vdekjen e Maxharrajt.

E ndjera Florie Pelaj Maxharraj nga Vrella, e lindur më 22.11.1967,  vdiq të hënën në mëngjes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ky rast po trajtohet si “Vdekje e Dyshimtë” nga Policia, pasi familjarët dyshojnë se terapia që mori një ditë më parë në Istog ka shkaktuar vdekjen e saj.

E, gjatë të mërkurës, lënda ka qenë në proces të kalimit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në atë të Pejës, por nga Peja bëhet me dije se ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht lëndën.

“Ky rast nuk ka ardhur ende zyrtarisht në Pejë. E kemi shënjestruar rastin edhe do të ju njoftojmë për gjithçka sapo të kemi diçka zyrtare”, tha Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës.

Varrimi i Maxharrajt është bërë në mesditën e së mërkurës në fshatin Vrellë të Istogut, ku të pranishëm ishin mbi 1 mijë persona.

Ajo ka lënë pas dy vajza, njëra 17 e tjetra 11 vjeçe. /Gazeta inFokus/

lexo edhe:

https://gazetainfokus.com/istogu-ne-zi-varroset-gruaja-qe-dyshohet-se-vdiq-nga-injeksioni-foto-video/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera