Lajme

Vdekja e 67-vjeçares në Dragash: Arrestohet kunata e viktimës, dyshohet se e vrau me mjete të forta

Autori: Gazeta inFokus 20:42 | 27 December 2022

Një grua është arrestuar për vdekjen e 67-vjeçares në fshatin Kuk të Dragashit.

Ajo është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Kjo pasi që Prokuroria ka njoftuar se pas ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, janë siguruar prova që shkojnë drejtë dyshimit të bazuar se e dyshuara N.A, e ka goditur disa herë me mjete të forta viktimën, ku si pasojë e njëjta ka ndërruar jetë, shkruan lajmi.net.

-Advertisement-

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së viktimës S.D., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kemi arritur të sigurojmë prova materiale relevante lidhur me rastin, që vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës. Në rastin konkret e njejta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se në lidhje me vdekjen e të moshuarës në Dragash ishte raportuar në media, mirëpo që nuk ishte njoftuar për ndonjë të arrestuar.

E njëjta dyshohet të ketë qenë edhe më herët viktimë e dhunës në familje. Për rastin kishte pasur edhe aktakuzë.

Kunata N.A dhe nipi J.A, i viktimës S.D (67-vjeçare) e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragash, ngarkohen se i shkaktuan dhunë psiqike viktimës, duke e nxjerrë nga shtëpia për të qëndruar në një pjesë të oborrit (qilar).

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 21 dhjetor 2022, thuhet se më 8 nëntor 2022, në fshatin Kuk, Komuna e Dragashit, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, të pandehurit N.A dhe J.A., në bashkëveprim me njëri-tjetrin, kryejnë dhunë psiqike, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare- të dëmtuarës/kunatës dhe hallës S.D.

Aktakuza thotë se në ditën kritike, të pandehurit e nxjerrin nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte e moshuar dhe me probleme mendore, duke e dërguar për të qëndruar në një pjesë të oborrit (qilar), e kështu i shkaktojnë të njëjtës shqetësim emocional.

Me këto veprime, N.A dhe J.A., ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera