Lajme

Vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova, PRAK: Neglizhencë dhe sistem shëndetësor i brishtë, rasti të hetohet

Autori: Gazeta inFokus 11:31 | 21 February 2024

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së vajzës 4-vjeçare nga Komuna e Gjakovës.

PRAK thekson se nga deklarata e prindërve vërehet një menaxhim jo i mirë i rastit thuajse në secilin segment, brenda të cilit mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human.

“Ftojmë Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Shëndetësor dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që ta hetojnë këtë rast, ta gjykojnë dhe ta dënojnë në përputhje me shkeljet e evidentuara.

-Advertisement-

Ky rast tregon mirë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor në menaxhimin e rasteve”, thuhet në reagim.

PRAK thekson më tej se rastet si ky flasin për një pasiguri të sistemit të cilat shkojnë në dëm të pacientëve.

“Të vdes fëmiu brenda ditës dhe të kemi deklarata kontroverse rreth shkakut, kjo është e papranueshme. Falënderojmë mediat për sensibilizimin e këtij rasti, por, këtu ngrihen pikëpyetje, sa raste të tjera si ky mund të vdesin në heshtje dhe shkaktarët e vdekjeve t’i mbuloj dheu!?”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.

Ndryshe, një 4-vjeçare ka vdekur në QKUK, ku ishte dërguar nga Spitali Rajonal i Gjakovës, pasi ishte përcjellë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Familjes, mjekët në Gjakovë i kishin thënë se ajo kishte lëndime në trup, që dyshohet se i kishte marrë nga rrahja prej një të mituri, por pas vdekjes së saj në QKUK, shkak i vdekjes i ishte përmendur një tjetër gjë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera