Lajme

Vazhdon seanca e Kuvendit, në rend dite rezoluta rreth grevës në vend

Autori: Gazeta inFokus 06:42 | 23 September 2022

Kuvendi i Kosovës sot do t`i vazhdojë punimet e seancës në të cilën do të jetë në rend dite edhe rezoluta e propozuar nga PDK-ja rreth grevave në vend.

Kjo rezolutë ka disa pika. Në pikën e parë të kësaj rezolute i kërkohet Qeverisë që në afat prej 48 orësh nga miratimi i saj në Kuvend të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së apo personat e autorizuar të BSPK-së deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e Grevës.

Si pikë e dytë i kërkohet Qeverisë që brenda 5 ditësh nga miratimi rezolutës të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar të BSPK-së në Grupin Punues për hartimin e Projektligjit të Pagave, para miratimit të tij dhe të marr në konsideratë propozimet e tyre.

Në pikën e tretë të kësaj rezolute që e lexoi shefi i deputetëve të PDK-së i kërkohet Qeverisë të adresojë masat për kërkesat tjera të sindikatave.

Pas votimit të rezolutës seanca fillon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 15 shtator 2022, raporton RTKlive.

Do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë dhe shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Pas këtyre pikave seanca do të vazhdojë me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare më 4 gusht 2022.

Në rend ditë është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë,
shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Të tjera