Lajme

Vazhdon rritja e numrit të infektuarve me Covid-19 në komunën e Podujevës

Autori: Gazeta inFokus 16:02 | 20 November 2020

htabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 në takimin e mbajtur sot ka shqyrtuar gjendjen aktuale me pandeminë dhe zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, informoi anëtarët e shtabit lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike në komunë dhe vendimin e fundit të Qeverisë për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia Covid-19, e sipas të cilit Komuna e Podujevës është klasifikuar në mesin e komunave me rrezikshmëri të lartë, për shkak të numri të madh të personave të infektuar.

Nënkryetari Rudari tha se edhe pas marrjes së masave të fundit nga Qeveria e Kosovës, për kufizim të lëvizjes dhe veprimtarive, në ditët e fundit ka përkeqësim të gjendjes epidemiologjike në komunën tonë.

-Advertisement-

Më tej nënkryetari bëri të ditur se nga shfaqja e pandemisë në Komunën e Podujevës janë regjistruar 1,229 raste të personave të prekur me coronavirus, prej tyre 811 janë shëruar, 388 raste janë aktive, kurse deri tani 30 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi.

Nënkryetari Rudari tha se java e fundit është karakterizuar me një përkeqësim të gjendjes, duke thënë se vetëm në 4 ditët e fundit janë regjistruar 151 persona pozitivë me Covid-19.

Me këtë rast nënkryetari Rudari kërkoi nga Ekipi i QKMF për trajtimin e rasteve me Covid-19 që të jenë sa më shumë në teren dhe të vizitojnë, personat e prekur me virus.

Epidemiologia Bedrie Rama tha se ekipi mjekësor anti-Covid vazhdimisht është në teren, sepse ka shumë raste me gjendje të rëndë që trajtohen nëpër shtëpi.

Më tej, lidhur me gjendjen epidemiologjike në shkolla, ajo tha se aktualisht janë 55 mësimdhënës dhe 18 nxënës të prekur me Covid-19.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, majori Isak Ejupi, tha se zyrtarët policorë vazhdimisht janë në teren dhe po përkujdesen për zbatimin masave anti-Covid, në bazë të ligjit dhe vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.

Komandanti Ejupi tha se brenda një muaji janë shqiptuar 496 gjoba ndaj personave që nuk kanë respektuar ligjin dhe masat për parandalimin e coronavirusit. Ai gjithashtu tha se janë duke monitoruar rastet e personave të prekur me Covid-19 që janë në vetizolim, duke vizituar familjet për të vërtetuar respektimin e masës së vetizolimit nga të prekurit dhe familjarët e tyre.

Në takim u tha gjithashtu se ditëve të fundit është vërejtur shkelje e masave të veçanta nga pandemia, nga njëri nga kandidatët për kryetar komune dhe nga një imam duke organizuar tubim në ambiente të xhamisë dhe me pjesëmarrje të shumë personave në ambient të mbyllur.

Me këtë rast u kërkua nga inspektorati dhe policia që të angazhohen në zbatimin e vendimeve të qeverisë për mbrojtjen nga pandemia Covid-19, që kanë të bëjnë me ndalimin e grumbullimit të njerëzve në ambiente të mbyllura dhe të hapura, si dhe respektimin e orarit për kufizimin e lëvizjes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera