Lajme

Vazhdon fushata linçuese ndaj policëve serbë të Kosovës përkundër reagimeve të shumta

Autori: Gazeta inFokus 13:38 | 27 July 2023

Ka vazhduar edhe sot fushata linçuese ndaj pjesëtarëve të rinj të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, përkundër thirrjeve dhe reagimeve të shumta që kërcënimet ndaj tyre të ndalen.

Në rrjetin social Telegram janë publikuar fotografitë dhe emrat e disa prej policëve, teksa ka pasur edhe një përgjigje për reagimet e komunitetit ndërkombëtar, që gjatë ditës së djeshme ishin të shumta.

“Meqenëse të gjithë ambasadorët perëndimorë, përfshirë edhe kreun e EULEX-it, kanë reaguar sot për publikimin e 5 emrave të serbëve që kanë filluar të punojnë në të ashtuquajturën Policia e Kosovës, duke e quajtur ‘kërcënim’ që është absurd total dhe asnjëri prej tyre nuk reagon kur populli serb sulmohet, arrestohet, kidnapohet në Kosovë, po publikojmë edhe 5 emra të tjerë”, thuhet në përshkrimin e fotografisë në shpërndarë në Telegram.

-Advertisement-

Diplomatë të huaj e krerët e shtetit në Kosovë, janë shprehur të shqetësuar për raportimet se zyrtarët e ri policorë në veri të vendit që vijnë nga komuniteti serb janë kërcënuar.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, reagoi duke thënë se se janë të papranueshme kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka thënë Hovenier.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se kjo fushatë frikësimi është shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë.

“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet e pakicës boshnjake, rome, serbe dhe turke meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka shkruar Rohde.

Reagoi edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Ai tha se është e rëndësishme që Policia e Kosovës të reflektojë diversitetin e Kosovës dhe të jetë në gjendje t’u shërbejë të gjitha komuniteteve.

“I ndaj plotësisht këto shqetësime. Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të reflektojë diversitetin e Kosovës dhe të jetë në gjendje t’u shërbejë të gjitha komuniteteve. Frikësimet dhe kërcënimet ndaj atyre që duan të kontribuojnë për shtetin e tyre, janë të papranueshme”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva.

“Të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva. Ata që janë përgjegjës duhet t’i nënshtrohen me vendosmëri dhënies së llogarisë”, ka shkruar Davenport.

Ai tutje është shprehur se misioni i OSBE-së mirëpret dhe mbështet aktivisht angazhimin e Policisë së Kosovës në rritjen e kontaktit me të gjitha komunitetet dhe prioritizimin e rekrutimit të kadetëve nga komunitetet joshumicë në mbarë Kosovën.

“Një forcë policore profesioniste kudo duhet të pasqyrojë diversitetin e popullsisë që është aty për t’i shërbyer”, ka përfunduar shefi i OSBE-së në Kosovë.

Këto akte frikësimi i dënuan edhe krerët e shtetit e liderët e partive opozitare në vend.

Kryeministri Albin Kurti, i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të jenë më të zëshëm për të dënuar trysninë e Beogradit ndaj serbëve që po integrohen në Kosovë.

Kurti ka thënë se janë të papranueshme fushatat e linçimit ndaj policëve të rinj serbë që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

“I përgëzoj për kurajon për të qenë pjesë e Policisë, dhe vullnetit të tyre për ti shërbyer vendit dhe sigurisë në vend, sidomos 46 policët e rinj nga komunitetë serb. Fushatat kanale e platformat sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne, edhe pse jam i bindur se janë krejtësisht të shpërfillura nga vetë ata. Ata sot janë pjesëtarë të policisë së Kosovës sepse janë profesionist të guximshëm dhe janë qytetarë të cilët e kanë dashurinë për vendin dhe e shprehin këtë duke i kontribuar atij”, ka thënë kreministri Kurti në konferëncën për media.

Ai ka thënë se ndërkombëtarët duhet të dënojnë çfarëdo fushate linçimi nga ana e Serbisë ndaj tyre.

Mbështetje policëve të rinj u ka dhënë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Osmani ka thënë se kërcënimet ndaj tyre vijnë nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale.

“I dënoj kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale”, ka shkruar Osmani.

Gazetaret përballen me institucionet, 1 vit e gjysmë hetime pa rezultat për pajisjen mijëra euro të vjedhur në QKUK

Ajo ka thënë se Policia e Kosovës është profesionale dhe multietnike dhe se fushata ndaj saj duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë.

“Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Jemi me oficerët tanë policorë derisa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Osmani, shkruan Reporteri.

45 policë të komunitetit serb kanë nisur punën tashmë në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Kujtojmë se përfaqësuesit e Listës Serbe, më 5 nëntor, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kishin vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera