Opinione

Vazhdon faktorizimi i Shqipërisë

Autori: Gazeta inFokus 11:22 | 09 March 2023

 

Që nga Marrëveshja e shtatorit 2020 për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Shtëpi të Bardhë, për Shqipërinë kishte filluar kthesa e madhe e fuqizimit dhe faktorizimit ekonomik të saj, sepse pikërisht pas kësaj marrëveshjeje Shqipëria i tha po energjisë amerikane, me një fjalë në Shqipëri filluan mega-projekte, të cilat askush as që i kishte paramenduar më parë.

Ndërsa Kosova për fat të keq i tha jo në Kuvend kësaj Marrëveshjeje amerikane, refuzoi gazin amerikan dhe paralelisht përzuri investitorin amerikan për ndërtimin e termocentralit të ri, s’ka asnjë plan për dalje nga kriza energjetike gjersa vazhdon të rrisë çmimin e energjisë dhe importin e energjisë kryesisht, nëse jo eksluzivisht, nga Serbia.

Ndërkohë që agresioni rus në Ukrainë bëri që Shqipëria të bëhej ndër faktorët kryesorë për paqe e stabilitet rajonal si dhe zhvillim ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ia arriti po ashtu që këto rrethana të reja në Evropë t’i përkthente në funksion të faktorizimit dhe zhvillimit të saj.

Imagjinoni Shqipërinë që ishte e harruara dhe anashkaluara e Evropës, tanimë sjell në tokën e saj kancelaritë perëndimore, pikërisht ato kancelari që e kishin lënë mbrapa së paku në 100 vitet e fundit. Mbështetja pa rezerva e Shqipërisë për SHBA-të në Këshill të Sigurimit dhe në çdo nismë tjetër ndërkombëtare kundër agresionit rus në njëfarë mënyrë e detyroi edhe BE-në që t’i ridimensiononte politikat e saj përballë Shqipërisë.

Kush do ta kishte menduar që Shqipëria sot do të kritikonte hapur BE-në dhe Vende Anëtare të saj dhe në këmbim të merrte hapjen e jo mbylljen e negociatave për anëtarësim në BE? Po të kishte drejtuar Shqipëria kritika të tilla ndaj BE-së apo Vendeve Anëtare të saj p.sh. gjatë periudhës 2014-2019 kur shqiptarët po defaktorizoheshin nga një BE e kontrolluar gjithnjë e më shumë nga Moska, BE do t’ia kishte ndalur Shqipërisë edhe ndihmat financiare.

Por jo, Shqipëria me mbështetje amerikane po faktorizohet duke e drejtuar OSBE-në, duke e rritur peshën në Këshill të Evropës, në Këshill të Sigurimit, duke i thënë po bazës së NATO-s në Durrës si dhe duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës në Beograd, Moskë, Bruksel, New York si dhe çdokund ku po i jepet mundësia.

Kush do ta kishte menduar p.sh. në vitin 2018 që niveli më i lartë i Evropës do të organizonte Samitet në Shqipëri? E pas agresionit rus në Ukrainë kjo u bë realitet, sepse kur Evropa e pa rrezikun nga Rusia, filloi t’i kthehej vetvetes dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, perspektiva evropiane e këtij të fundit vetëm sa po shkonte duke u zbehur kundrejt rritjes së ndikimit rus, kinez, turk dhe arab.

Më 6 dhjetor 2022 qe mbajtur në Tiranë për herë të parë Samiti BE-Ballkan Perëndimor, samit ky që nuk ishte mbajtur asnjëherë në asnjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor. Përpos kësaj, në Shqipëri është caktuar të mbahet tanimë edhe Samiti i Procedit të Berlinit më 16 tetor 2023, pra një samit tjetër ky tejet i rëndësishëm para se gjithash për faktorizimin e Shqipërisë në funksion të zhvillimit rajonal të Ballkanit Perëndimor. Ashtu sikurse Samiti BE-Ballkan Perëndimor, edhe kjo është hera e parë që ky samit po mbahet në një shtet të Ballkanit Perëndimor, në këtë rast në Shqipëri. BE e ndikuar nga amerikanët e ka kuptuar që në rajonin tonë duhet faktorizuar shqiptarët që prodhojnë stabilitet e jo serbët që prodhojnë jostabilitet.

Prandaj, mësymjet e investimeve amerikane, holandeze, arabe, franceze, gjermane, etj. drejt bregdetit shqiptar, janë treguesi më i mirë për ngjalljen e Shqipërisë si një vend me të ardhme prosperuese. Sigurisht që Shqipëria vazhdon të ketë sfida të brendshme me të cilat duhet të përballet fuqishëm për të kapur trendet zhvillimore ndërkombëtare. Por ama, rrethanat ndërkombëtare asnjëherë s’i ka pasur më të favorshme për të tashmen dhe pse të ardhmen e saj.

UNICEF-i dhe Devolli Corporation bashkojnë forcat për fëmijët dhe të rinjtë

Të tjera