Opinione

Vazhdimësi apo ndryshim në punësime?

Autori: Gazeta inFokus 11:14 | 13 September 2021

Institucionet e Kosovës kanë pasur fat mbi fat ngase që nga viti 1999 e deri me sot marrin masatarisht 200 milionë EUR në vit donacione të jashtme, shumica e të cilave kanë qenë dhe ende janë këshillë- dhe ekspertizë-dhënie për zhvillimin e institucioneve të të gjitha niveleve. Ka qenë pikërisht kjo ndihmë e jashtëzakonshme profesionale ndërkombëtare kryesisht e BE-së dhe SHBA-së ajo që ka relativizuar në masë të madhe shpërdorimin masiv të burimeve njerëzore që ka bërë së pari UNMIK-u, të gjitha qeveritë tona, përfshirë këtë të sotit, dhe EULEX-i. EULEX-in duhet ndarë nga donacionet që i jep BE për zhvillim institucional, janë dy linja tërësisht të ndryshme, kjo sepse amaterizmi dhe politizimi i EULEX-t deri në dështimin total të tij, nuk duhet përzier me donacionet që i jep BE për zhvillim institucional.

Shkruan: Agron HOTI

Pikërisht pse janë dhënë dhe jepen ende kaq shumë donacione për zhvillim gjithë-institucional, politika jonë që fiks 22 vite kurrë s’e ka ndier mungesën e njerëzve profesionistë nëpër institucione, edhe sot vazhdon me të njëjtin ritëm nëse jo edhe më keq. Të gjitha dokumentet strategjike përfshirë ligjet, për hartimin e të cilave kërkohet tru dhe vetëm tru, janë hartuar dhe vazhdojnë të hartohen nga donacionet e jashtme.

-Advertisement-

Prandaj, ashtu siç qeveritë e kaluara nuk ndienin presion për njerëz të mençur e profesionistë, njëjtë po vazhdohet edhe sot, nëse jo edhe më keq. Militantizëm partiak atëherë, militantizëm sot. Profesionisti sillet rrugëve ose del jashtë shtetit, analfabeti në Kuvend, Qeveri, Komunë, Gjykatë, Prokurori, dhe në të gjitha institucionet tjera pa përjashtim. Ishte për të qarë me shami kush bëhej Ministër/e në të kaluarën, është për të qarë me peshqir kush është Ministër/e sot.

Ka qenë pikërisht ky shpërdorim masiv i burimeve (profesionale) njerëzore, ai që ka shtytur dhe vazhdon t’i shtysë edhe sot të rinjtë dhe të rejat të ikin vendit. Nuk kanë pasur faj ata që kanë thënë se “kur ia kanë vënë kalit gomarin përpara, kali është çmendur”. Meqë donacionet e jashtme vijnë me të njëjtin ritëm sikurse përpara, as Qeveria e sotme, 100% sikur të kaluarat, nuk e ndien fare mungesën e njerëzve profesionistë, sepse të gjitha dokumentet strategjike përgatiten nga donatorë të jashtëm.

E këtë fakt, qytetarët e Kosovës s’e kanë ditur as përpara e as sot. Kurrë mediat dhe shoqëria civile nuk e kanë kapur këtë temë, se si ka mundësi që në punë të jenë amaterët e të mos ndihet fare mungesa e profesionistëve. Qytetarët i shohin dokumentet dhe mendojnë që ato i bëjnë shqiptarët, e që në fakt shumica sosh bëhen nga të donatorët e jashtëm.

Po jua përmend vetëm një fakt tronditës: sot ka mbi 90% të pozitave menaxheriale në nivel vendi që nuk dinë mirë shkrim dhe lexim, pra elementin bazë të administratës. Për ta fshehur turpin dhe marren që këta amaterë të dëshmuar s’dinë të shkruajnë, s’shkruajnë fare emaila ose shkresa, sepse po të shkruajnë u del harpallëku apo mosdija e madhe, ndërkohë që ka shumë që i thonë vetes edhe akademikë. Sigurisht që përjashtime ka, sepse ka profesionistë, zëri i të cilëve heshtet nga zhurma bajate e politikës.

Përderisa na i kryejnë punët donatorët e jashtëm, pra na i përgatisin dokumentet, politika jonë pa përjashtim, e kaluara, e sotmja dhe e nesërmja, do të vazhdojë me punësime të njerëzve të paditur dhe kjo vetëm sa do ta rrisë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj institucioneve dhe shtetit ashtu siç është duke e rritur çdo ditë e më shumë. Vetëm Ministria e Drejtësisë sot ka një projekt të BE-së në vlerë mbi 7 milionë EUR, projekt ky i cili i përgatit të gjitha dokumentet jo vetëm të kësaj Ministrie, por gati tërë sistemit të drejtësisë. Dikund Sektori i Drejtlsisë dhe i Sundimit të Ligjit në përgjithësi çdo vit ka në shfryrëzim mbi 30 milionë EUR donacione të jashtme, shumica e të cilave janë për zhvillim të institucioneve, e qytetarët e Kosovës nuk i dinë këto gjëra tronditëse.

I vetmi shpëtim, është futja e kamerave live gjatë tërë procesit të rekrutimit si dhe me matjen objektive të performancës në baza të rregullta dhe pa ndikime partiake. Me futjen e kamerave live do të kthehej shpresa e punësimit profesional e meritor, përndryshe çfarëdo deklarate politike për joshje aplikimi pa futjen e kamerave është vetëm për të siguruar vota asgjë më shumë. Nëse vazhdohet kështu me punësime do të kemi vazhdimësi, nëse futen kamerat do të kemi ndryshimin e pritur.

Pa presion të madh qytetar, të mediave, shoqërisë civile, pa transparencë në punësim dhe promovim në punë, partitë politike pa përjashtim, nuk do të promovojnë pothuaj fare njerëz profesionistë nëpër struktura partiake dhe më pas nëpër institucione. Pa kësi ndryshime radikale s’do të ketë as reformim të partive politike, as reformim të institucioneve dhe as meritokraci, e pa të gjitha këto do të vazhdojmë të kemi deficite të theksuara në proceset demokratike aq të nevojshme për rrugën tonë drejt Integrimit Evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera