Lajme

Varianti Delta po e ‘pushton’ Kosovën, vaksinimi kundër Covid-19 po ecën ngadalë

Autori: Gazeta inFokus 17:34 | 04 August 2021

Varianti Delta i virusit COVID-19 ka goditur Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën.

Një variant i cili për herë të parë u zbulua në Indi është konstatuar se përhapet më shpejtë e në veçanti tek moshat më të reja, shkruan Gazeta inFokus.

Sipas një statistike të Universitetit “John Hopkins”, të publikuar tri ditë më parë, rastet me Delta në Britani të Madhe kanë shkuar deri në rreth 180 mijë, në SHBA rreth 30 mijë, afër 7 mijë në Gjermani, e rreth 5 mijë në Itali, pastaj rreth 4 mijë gjegjësisht 3 mijë në Belgjikë, Francë, Portugali, Spanjë.

Në listën e këtij hulumtimi qëndron edhe Kosova, por që shfaqet me vetëm dy raste të këtij varianti të ri të virusit, ndonëse në fakt, sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, 80% e rasteve në Kosovë janë me këtë variant.

Në një konferencë, ai u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

“Jemi ende shumë larg përfundimit të pandemisë dhe këtë duhet kuptuar të gjithë. Hezitimet për t’u vaksinuar vetëm mund dhe do ta përkeqësojnë situatën. Duhet të tregohemi të arsyeshëm për të parandaluar përhapjen e më tej të virusit dhe kjo nënkupton që qytetarët e vendit tonë duhet të vaksinohen dhe atë me dy dozat e vaksinës”, tha ai.

Mirëpo nga ana tjetër procesi i vaksinimit po ecën shumë ngadalë. Deri më tani në vend, të imunizuar ndaj COVID-19 janë vetëm 162 mijë e 807 qytetarë të cilët kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës.

Ndërsa në pritje të imunizimit janë edhe 297 mijë e 490qytetarë të cilët janë vaksinuar vetëm me dozën e parë të vaksinës.

E këtë e pohon edhe infektologu, Ilir Tolaji cili në një intervistë për Gazetën inFokus ka thënë se vaksinimi po ecën ngadalë.

“E vërteta është se vaksinimi po bëhet me ngadalë sesa që është e dëshirueshme dhe e nevojshme. Vaksinimi i një numri sa me te madh të qytetarëve brenda një kohe sa me të shkurtër është indikatori kryesor i vlerësimit të suksesit të një aksioni për vaksinim të popullatës e në këtë rast popullatës së Kosovës. Sa me shpejtë që arrihet kjo, aq më të sigurt jemi se nuk do të ketë ndonjë vale eventuale te re te infeksioneve dhe se do ti kthehemi normalitetit të periudhës para pandemisë”, ka thënë ai.

Sipas tij duhet një angazhim më i madh i institucioneve të shëndetësisë në vend.

“Për këtë arsye duhet një angazhim plotësues, serioz dhe i përkushtuar i autoriteteve shëndetësore te Kosovës, që ta masivizojnë dhe përshpejtojnë vaksinimin. Vaksinimi, është vërtetuar gjithashtu, është mjeti i vetëm për ta luftuar edhe variantin Delta dhe eventualisht variantet tjera te cilat mund te lindin ne muajt e ardhshëm”, ka deklaruar Tolaj.

Infektologu Tolaj ka thënë se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk e kanë kryer punën e tyre.

“Është evidente se IKSHKP dhe MSH nuk e kane bëre punën e vet ne aspektin e promovimit të vaksinimit anti-covid dhe te edukimit të popullatës se gjerë për benefitet e vaksinimit. Deklaratat joserioze, shpesh kundërthënëse, te këtyre institucioneve, duke rekomanduar një në publik e diçka tjetër jo zyrtarisht, e kanë bere efektin e tyre serioz negativ. Për ketë, duhet një kampanje e mirëfillte e promovimit te vaksinimit anti-covid, duke shfrytëzuar çdo personalitet me peshe ne shoqërinë tone për ketë gjë dhe duke i luftuar aktivisht dezinformatat dhe teoritë e konspiracionit që e kundërshtojnë vaksinimin”, ka përfunduar Tolaj.

Gazeta Infokus ka më shumë se dy javë që pret një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë se pse po ecën ngadalë procesi i vaksinimit dhe se a kanë ndërmarrë ndonjë veprim për të ndikuar në vetëdijesimin e qytetarëve për t’u vaksinuar, mirëpo në këtë ministri nuk janë interesuar të kthejnë ndonjë përgjigje.

Derisa i pari i Shëndetësisë premtonte se për një muaj do të vaksinoheshin deri në 500 mijë qytetarë sipas planit shtetëror të vaksinimit masiv, në realitet për 5 muaj janë imunizuar vetëm 162 mijë e 807 qytetarë.

Premtim tjetër i kësaj qeverie ishte që deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% e popullatës e megjithatë edhe pse kanë kaluar 5 muaj prej kur ka filluar procesi i vaksinimit nuk janë imunizuar as 20% e saj./Gazeta inFokus/

Të tjera