Lajme

Varhelyi sot shkon edhe në Veri, shefi i Zyrës së BE-së zbulon agjendën “intensive” të tij në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 13:03 | 25 May 2023

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, sot ka ardhur në Kosovë në një vizitë zyrtare.

Aktualisht, ai ka nisur takimin me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa pritet të vazhdojë për në Kryeministri për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Për agjendën “intensive” ka treguar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se Varhelyi sot do të shkojë edhe në komunat veriore të vendit, raporton Express.

-Advertisement-

“I lumtur të pres Komisionerin e BE-së Oliver Varhelyi për një vizitë që do të thellojë marrëdhëniet BE-Kosovë dhe rrugën europiane. Sot ai do të ketë një agjendë intensive, duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrat e kabinetit. Ai do të vizitojë edhe Mitrovicën Veriore”, ka shkruar shefi i Zyrës së BE-së në Twitter.

Për detajet e agjendës së tij ka shkruar edhe Komisioni Europian.

“Këto takime do të jenë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e KE.

Gjatë kësaj vizite, Varhelyi do të marrë pjesë në lansimin e Programit për Çështje të Brendshme BE-Kosovë, për forcimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë trivjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila është në fuqi që nga 1 prilli 2016.

Komisioni do të raportojë sërish për progresin e Kosovës në rrugën e saj europiane në Paketën e zgjerimit 2023, e cila do të dalë në vjeshtë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera