Lajme

Valon Syla reagon pasi sulmuesit e tij u dënuam me nga dy vite burgim

Autori: Gazeta inFokus 10:16 | 07 December 2023

Valon Syla, gazetar, ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe mediat pas aktgjykimit dënues ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani me dy vite burgim efektiv secilit.

“Lajmi i fundit pra dy vjet për sulmust, fanatikët islamikë. Për këtë rast ma së pari e kisha falënderu Policinë e Kosovës që ka reagu shumë shpejt për identifikimin… falënderoj kolegtë e mi, Ilir Mirenën, Leonard Kerqukin dhe krejt mediat”, ka thënë Syla përmes një storie në ‘Facebook’, shkruan Gazeta Insajderi.

Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

-Advertisement-

Gjykatësja Namani tha se tre të akuzuarit Lum Dërvishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga dy vite burgim (secili veç e veç), pasi janë fajtorë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Të njëjtëve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak prej 14 prill deri më 7 dhjetor 2023.

Të akuzuarve iu ndalohet masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa, refuzohet kërkesa pasurore-juridike e palës së dëmtuar, pasi që gjykata vlerëson se nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale, nuk ka prova të mjaftueshme për realizimin e kësaj të drejte.

Aktakuza ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.

Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera