Lajme

Vala e re e infektimit me CoViD, QKUK-ja e spitalet rajonale bëhen gati me shtretër e oksigjen shtesë

Autori: Gazeta inFokus 17:21 | 12 October 2020

Qendra Universitare e Kosovës dhe spitalet rajonale janë bërë gati për të pritur një valë të dytë të të infektuarve me virusin Covid-19. Kjo pasi në dy ditët e fundit, në Kosovë ka filluar të rritet sërish numri i personave të prekur me këtë virus.

Përveç shtimit të shtretërve dhe stafit shëndetësor, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), objekti i Klinikës Emergjente të QKUK-së pritet të adoptohet për trajtimin e pacientëve të prekur me Covid-19.

Kështu ka paralajmëruar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi në një intervistë për Gazetën Objektiv.

-Advertisement-

“Ju e dini që MSh-ja ka marrë vendim që objektin e Klinikës Emergjente ta adoptojmë për hapësira ku do të shtrihen pacientët e prekur nga Covid-19, nëse do të kemi numër të madh të rasteve. Po ashtu janë në proces të rekrutimit edhe të rreth 1500 specializantëve, me anë të projekteve të Bankës Botërore janë në proces të punësimit edhe rreth 375 profesionist tjerë shëndetësor, përshirë infermier, laborant, inspektor dhe etj, që do të na ndihmojnë në menaxhimin e pandemisë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se shpejti të gjitha spitalet e QKUK-së si dhe ato rajonale do të kenë furnizim të mjaftueshëm të rezervuarëve me oksigjen të lëngshëm.

“Kemi shpallur procedurat e tenderimit për furnizim me oksigjen të lëngshëm për të gjitha spitalet regjionale. Pra, do të blihen këto rezervuare ku do të furnizohen me oksigjen të lëngshëm. Po ashtu e kemi bërë edhe planin e zgjerimit të shtretërve që do të lidhen në sistemin e oksigjenit qendror. Pra, qëllimi është që të kemi sa më shumë shtretër të lidhur me sistemin e oksigjenit qendror dhe të mos kemi nevojë për ato cilindrat, ose ato bocat e vogla që i keni parë nëpër dhomat e pacientëve ose ato të jenë në numër sa më të vogël”, ka pohuar Krasniqi.

Krasniqi nuk e ka përjashtuar as mundësinë për rikthimin e masave të izolimit nëse qytetarët nuk i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Nëse shohim me vëmendje situatën epidemiologjike në vendet në rajon por edhe në vendet tjera të Evropës, ne po shohim që ato po përjetojnë numër të madh të rasteve të reja të infektuara, pra një rritje e serishme e numrit të rasteve të reja të infektuara, dhe se çfarë masa do të merren në Kosovë do të varen krejtësisht nga situata epidemiologjike që do të mbizotërojë në Kosovë. Dhe situata do të varet nga sjelljet tona, edhe si qytetarë por edhe si institucione. Nëse ne vazhdojmë të respektojmë masat ashtu siç kemi bërë në muajin e fundit, nëse institucionet mbikëqyrëse, monitoruese të zbatimit të këtyre masave e bëjnë këtë në mënyrë mjaftë të suksesshme, dhe nëse qytetarët vazhdojnë ta kuptojnë që virusi ende është prezent, që pandemia nuk ka kaluar ende,. atëherë ne mund të presim që të kalojmë një situatë të qetë. E them edhe një herë, krejt kjo varet nga sjelljet tona”, ka pohuar më tej Krasniqi.

Fillimi i vitit të ri në shkolla dhe universitete si dhe lejimi i shumë aktiviteteve po vlerësohen të jenë arsyet e rritjes së numrit të rasteve të prekura me Koronavirus.

Krasniqi ka paralajmëruar se mos respektimi i masave nga ana e qytetarëve do të sjell edhe rritje të numrit të të prekurve me këtë virus.

“Mos të harrojmë se sapo ka filluar procesi mësimor, pra janë rikthyer nxënësit nëpër shkolla, po ashtu edhe disa universitete kanë filluar rikthimin e studentëve nëpër institucionet e tyre, aktivitete tjera të natyrës biznesore, sportive kanë filluar të mbahen Dhe krejt kjo shoqërohet me një rritje të numrit të madh të kontakteve, pra një ekspozim i madh ndaj burimit potencial të infeksionit i cili mund të shkaktoj rritje të numrit të madh të rasteve. Nëse zbatohen masat, atëherë ne mund të presim të vazhdojmë me këtë tempo, por nëse nuk kemi zbatim të masave, përderisa virusi është prezent, ekziston edhe rreziku i rritjes së numrit të të infektuarve”, ka deklaruar ai.  

Në javën që e lëmë pas, klinikat spitalore të vendit u kanë ofruar shërbime shëndetësore rreth 170 pacientëve të prekur me Covid-19. Ndërkaq, Krasniqi thotë se rreth 14 pacientë të tjerë kanë qenë të kyçur në respirator.

“Aktualisht gjendjen e kemi më stabile për sa i përket trajtimit klinik të pacientëve të prekur nga Covid-19. Gjatë javës së fundit kemi pasur dikund prej 150 deri në 170 pacientë të shtrirë nëpër spitalet tona të përgjithshme dhe në Klinikat e QKUK-së. Gjendja e tyre e përgjithshme e tyre është stabile por, ende kemi pacientë në gjendje të rëndë. Kemi pasur psh. dikund nga 11-14 pacientë gjatë javës së kaluar që kanë qenë të kyçur në respirator. Qoftë të intubuar apo në metodën CP. Pra, është një frymëmarrje tjetër e asistuar në frymëmarrjen artificiale”, tha ai. /Objektiv/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera