Lajme

Vaksinimi edhe të dielën, qytetarët me dy doza kërkojnë masa më të lehta

Autori: Gazeta inFokus 15:09 | 19 September 2021

Procesi i vaksinimit në sallën” 1 Tetori”, në Prishtinë që nga java e kaluar ka filluar të punojë edhe të dielave, por interesimi i qytetarëve nuk është edhe aq i lartë.

Këtë bëri të zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, në një prononcim për KosovaPress, ku tha se në bazë të raportit, sot nuk janë shfrytëzuar as 40% e kapaciteteve të kësaj qendre.

Derisa apelon te qytetarët që të vaksinohen, ai shton se sot gjatë paradites janë dhënë tre mijë deri në katër mijë doza të vaksinës.

“E dini që nga java e kaluar ekipet e vaksinimit në nivel vendi, vaksinojnë edhe gjatë ditëve të fundjavës, do të thotë të shtunave dhe të dielave. Ditën e djeshme ka pas interesim më të madh. Në nivel vendi janë dhënë 19 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa, sot e diele ka interesim por nuk është ai interesimi që ne kishim dashur ta shohim sepse e dini që ka pasur kërkesa të shumta që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe të dielën. Prandaj ne u bëjmë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të vijnë dhe të vaksinohen sepse ka terminë të mjaftueshme të lira. Gjithashtu ka vaksina dhe është momenti i duhur që qytetarët të vaksinohen dhe të arrijnë imunitetin kundër COVID-19…Në qendrën ’ 1 Tetori’, deri sot në orët e paradites ka qindra vaksina të dhëna dhe ne kishim dashur të ketë shumë më tepër, sepse kapacitetet ditore të kësaj qendre mund të shkojnë deri në tre mijë deri në katër mijë doza të administruara, ndërsa në nivel vendi ne mund të administrojmë deri në 20 mijë doza. Sot në bazë të raportit në bazë të terminëve që qytetarët i kanë ndarë për marrje të vaksinës e shohim që nuk janë shfrytëzuar as 40% ke të themi të kapaciteteve të mundshme,” ka deklaruar Hoti.

Leonor Gërbeshi, i cili gjendej në këtë sallë për vaksinim, tregoi se është i vaksinuar tashmë me dy doza të vaksinës dhe që nuk ka ndonjë problem.

Ai kërkoi që për personat e imunizuar me dy doza masat duhet të jenë më të lehta.

“Tash sa u vaksinova me dozën e dytë të vaksinës. Gjithçka është në rregull, nuk kam pas ndonjë problem. Pas vaksinimit nuk kam pas ndonjë problem. Unë mendoj se sikur çdo shtet sikur shtetet tjera dhe sipas rekomandimeve të eksperteve shëndetësorë mbi efektin e vaksinës kur personat janë të vaksinuam me dy dozat dhe nuk i rrezikojnë të tjerët aq shumë duhet të lirohen edhe masat sipas rekomandimit të ekspertëve shëndetësorë dhe njerëzve të fushës së mjekësisë,” ka potencuar ai.

Kurse, Besim Rrahmani i vaksinuar me të dy dozat, tregon se nuk ka pas ndonjë problem gjatë vaksinimit.

Ai po ashtu pajtohet me idenë se masat duhet të lehtësohen për personat e vaksinuar me dy doza.

“Jam vaksinuar me dy dozat dhe nuk kam pas ndonjë shqetësim. Një lodhje me të dytën dhe jo diçka kumedit sa. (Masa më të lehta) Po se na po barazohem me ata që nuk janë vaksinu, pse unë me mbajt maskën barazi me atë që nuk është vaksinuar. Të gjitha masat duhet me qenë më të lehta, ai që nuk vaksinohet le t’i bart pasojat” ka thënë ai.

Por kundër vaksinimit të detyrueshëm dhe pritjeve është Mixhen Beshiri.

“Sot kom ardhur për vaksinim për dozën e parë, dhe nuk më ka pëlqye ideja që na kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin edhe për shkak të pritjeve të gjata që po bohet këtu po duhet me prit. Jemi duke prit këtu që 15 minuta dhe po besoj që këtu para nesh jan diku edhe 30 persona të tjerë që po presin, besoj se edhe nja dy tri orë ka me na ra me prit këtu. Pritjet mendoj që po bëhen për shkak të vikendit dhe nuk ka staf të mjaftueshëm,” ka potencuar ai.

Përndryshe, që nga fillimi i procesit të vaksinimit e deri më sot janë dhënë 1.147.803 doza të vaksinës.

Të tjera