Lajme

Vaksina për COVID-19, prova shpresëdhënëse tek majmunët

Autori: Gazeta inFokus 07:07 | 21 May 2020

Dy studime të kryera me majmunët dhe të botuara të mërkurën ofrojnë disa prova të para shkencore se njerëzit që e kalojnë COVID-19n mund të rezultojnë me imunitet nga ri-infeksioni, një shenjë pozitive se vaksinat në zhvillim e sipër mund të kenë sukses, thanë të mërkurën studiuesit amerikanë.

Edhe pse shkencëtarët kanë supozuar se antitrupat e prodhuar në përgjigje të virusit të ri janë mbrojtës, nuk ka prova të sakta dhe të provuara mirë shkencërisht për ta mbështetur këtë supozim. Në një nga studimet e reja, shkencëtarët infektuan nëntë majmunë me COVID-19. Pasi u shëruan, ekipi i ekspozoi ata përsëri ndaj virusit dhe kafshët nuk u sëmurën.

Gjetjet tregojnë se majmunët “zhvillojnë imunitet natyror që i mbron nga rishfaqja e virusit”, tha Dr. Dan Barouch, studiues në Qendrën për Virologjinë dhe Hulumtimet e Vaksinave në Qendrën Mjekësore të Harvardit Beth Israel Deaconness në Boston, studimet e të cilit u botuan në revistën Science. “Është një lajm shumë i mirë,” tha Dr. Barouch.

-Advertisement-

Në studimin e dytë, Barouch dhe kolegët e tij testuan 25 majmunë me gjashtë vaksina eksperimentale për të parë nëse antitrupat e prodhuar ishin mbrojtës. Pastaj majmunët u ekspozuan me koronavirusin që shkakton COVID-19.

Të gjitha kafshët e painjektuara treguan shkallë të lartë të virusit në hundët dhe mushkëritë e tyre, ndërsa tek kafshët e vaksinuara, “ne pamë një shkallë të konsiderueshme mbrojtjeje”, tha Dr. Barouch. Tetë nga kafshët e vaksinuara ishin plotësisht të mbrojtura. Studimet jo patjetër dëshmojnë se njerëzit zhvillojnë imunitet por ato japin shpresë. “Këto të dhëna do të shihen si një përparim i mirëpritur shkencor,” tha Dr. Barouch./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera