Fokus

Vajza e Ibrahim Rugovës nuk përfaqëson LDK-në!?

Autori: Agnesa Çitaku 12:07 | 08 June 2018

Doli disa herë kundër partisë së themeluar nga babai i saj.

E së fundi e bija e ish-Presidentit, Ibrahim Rugova, Teuta iu bashkua e vetme turit lobuese të Kuvendit të Kosovës.

Ajo udhëtoi edhe pas vendimit të prerë të të gjithë bashkë partiakëve të saj për distancim nga ky udhëtim duke e quajtur si tur lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.

-Advertisement-

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë për Gazetën Fokus se bashkëpartiakja e tij nuk përfaqën LDK-në në këtë udhëtim.

“Qëndrimi i Grupit Parlamentar është kundër dhe kushdo që ka shkuar vet nuk ka qenë dhe nuk paraqet qëndrimin e Grupit Parlamentar”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka thënë gjithashtu se LDK vazhdon të konsideroj se ky tur lobues është vizitë apo ekskursion.

“Grupi Parlamentar i LDK-së ka vendosur mos me qenë pjesë e atij ekskursioni turistik dhe çdo vendim i secilit deputet për të shkuar individualisht përfaqëson veç veten e tij e jo grupin parlamentar. Grupi Parlamentar i LDK-së, është distancuar plotësisht nga kjo vizitë apo ekskursion”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur nëse Rugova ishte njoftuar me kohë për vendimin e LDK-së, Selmanaj ka thënë se kjo temë është diskutuar vazhdimisht ndërsa në mëngjes janë njoftuar të gjithë anëtarë të LDK-së.

“Ne çdo vizitë që e kemi konsultohemi brenda grupit dhe i njoftojmë kështu që në këtë konkret ka qenë edhe rasti në fjalë por ka pas një qëndrim zyrtar që ne të mos jemi pjesë e ekipit kështu që vendimi personal nuk kalon përtej individualitetit të saj. Grupi Parlamentar na ka njoftuar në mëngjes që është zyrtarisht qëndrimi jonë të mos shkojë askush në këtë ekskursion por para kësaj ne vazhdimisht kemi biseduar rreth kësaj yshtje”, ka thënë Selmanaj për GazetënFokus.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti mëngjesin e së enjtes kishte bërë të ditur se nuk do ti bashkohen turit lobues.

Hoti madje kishte shkruar se ky tur është lobues turistik vetëm për shpenzime të parasë publike sepse liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.

“Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla. Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane. Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës. Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare. Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së.” thuhet në postimin e Hotit.

Në nismën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për lobim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian duke kërkuar liberalizimin e vizave i janë bashkuar edhe 7 deputetë.

Teuta Rugova nga LDK, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, Aida Dërguti nga PSD, Evgjeni Thaçi – Dragusha nga PDK, Time Kadrijaj nga AAK, Adem Hodza nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga 6+.(Agnesa Citaku)/GazetaFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera