Lajme

Ushtria e gatshme për t’i ndihmuar autoritetet shëndetësore në luftën kundër koronavirusit

Autori: Gazeta inFokus 23:04 | 28 August 2021

Lufta me virusin Corona, tani me variantin Delta, është sfida e radhës me të cilën po përballet Kosova.

Kështu ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, nëpërmjet një postimi në rrjetin social, shkruan Gazeta Infokus.

Mehaj ka siguruar se FSK-ja është e gatshme me të gjitha kapacitetet për t’u dalë në ndihmë autoriteteve shëndetësore në luftë kundër pandemisë.

“Ne, sikur edhe në valët e mëhershme të pandemisë dhe sfidat tjera të mëhershme, jemi në gatishmëri të plotë që të mbështesim autoritetet shëndetësore qendrore e lokale për parandalimin, menaxhimin, reagimin dhe tejkalimin e kësaj sfide. Të gjitha aftësitë dhe kapacitetet njerëzore profesionale, ato materiale, të mbështetjes logjistike dhe kapacitetet infrastukturore të FSK-së i kemi në dispozicion të plotë për shëndetin dhe mirëqenien e juaj, qytetarë të dashur”, ka shkruar Mehaj.

Ai ka thënë se për të parandaluar këtë pandemi, duhet të realizojmë vaksinimin e plotë si dhe të mbajmë distancën fizike, maskat dhe higjienën personale.

“Bashkë, si gjithmonë, do të ia dalim!”, është shprehur Mehaj. /Gazeta Infokus/

Të tjera