Lajme

Urimet e liderëve ndërkombëtarë për fitoren e Edi Ramës në zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri

Autori: Gazeta inFokus 16:48 | 14 May 2025

Pas fitores së Partisë Socialiste të Shqipërisë në zgjedhjet e 11 Majit, Kryeministri Edi Rama ka marrë urime nga liderë të shumtë ndërkombëtarë.

Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Europian, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për reformat e BE-së. “Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat e BE-së. Shqipëria i përket BE-së! Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, ka thënë Von der Leyen.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka shprehur urimet për fitoren e Ramës dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të mëtjeshëm për të sjellë rezultate për qytetarët e dy vendeve. “Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Me padurim pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për të sjellë rezultate për qytetarët në të dy vendet tona”, ka shkruar Starmer.

-Advertisement-

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vlerësuar qëndrimin e qartë të Shqipërisë për Ukrainën dhe ka uruar suksesin e Ramës në shërbim të popullit shqiptar. “Përgëzime Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbim të popullit shqiptar. Vlerësojmë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur për nevojën e një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë, e cila mund të arrihet përmes një armëpushimi të plotë dhe pa kushte”, ka theksuar Zelensky.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka shprehur dëshirën për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. “Urime Kryeministrit për fitoren në zgjedhje! Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimin e bashkëpunimit brenda NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, mezi pres të marr pjesë në samitin e KPE-së në Tiranë të premten”, ka shkruar Plenkoviç.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka shprehur mbështetje për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Urime, Edi Rama, për fitoren bindëse të Partisë Socialiste në zgjedhje. Shqiptarët mbështesin në masë dërrmuese përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzime”, ka shkruar Sánchez.

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ka shprehur urimet për fitoren dhe besimin se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Emirateve do të vazhdojë të zgjerohet. “Urime të sinqerta Kryeministrit Edi Rama për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Lidhjet midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë kanë parë një rritje të fortë vitet e fundit dhe jam i bindur se së bashku mund të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të promovojmë zhvillimin e mëtejshëm në të mirë të kombeve dhe popujve tanë”, ka thënë Presidenti i Emirateve.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar në shqip dhe ka theksuar mbështetjen e Francës për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. “Urime @ediramaal, mik i dashur, për fitoren tënde në zgjedhjet parlamentare. Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Do të takohemi që të premten në Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe për një vizitë që duhet të na lejojë të forcojmë edhe më shumë partneritetin tonë!”, ka shkruar Macron.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka uruar përzemërsisht dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve. “Dua t’i shpreh urimet e mia më të përzemërta Kryeministrit @ediramaal për riemërimin e tij si kreu i Qeverisë Shqiptare. Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik që lidh dy kombet tona është forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, rezultat i dialogut konstruktiv dhe një vullneti të përbashkët për t’u përballur me sfidat globale me zgjidhje inovative. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të konsoliduar më tej lidhjen midis dy qeverive tona dhe për të arritur qëllime të përbashkëta, duke përfshirë forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe avancimin e rrugës evropiane të Shqipërisë”, ka shkruar Meloni.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka uruar për rezultatet e zgjedhjeve dhe ka shprehur dëshirën për të u takuar me Ramën dhe për të thelluar bashkëpunimin. “Urimet më të ngrohta, i dashur @ediramaal, për këto rezultate mbresëlënëse zgjedhore. Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, ka shkruar Costa.

Komisionerja për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, ka theksuar se momenti për zgjerimin e BE-së është real dhe ka shprehur dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin. “Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mirë në ndjekjen e reformave të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në BE. Momenti për Zgjerimin në BE është real, le ta kapim së bashku”, ka shkruar Kos.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
GP Aviation dhe PrishtinaTicket me fluturime direkte dy herë në javë drejt Parisit!
-Advertisement-

Të tjera