Opinione

Urbanizimi vs. vërshimet

Autori: Gazeta inFokus 13:05 | 18 September 2022

Evropa sot përbën rajonin më të urbanizuar në glob. Asnjë rajon në glob i përmasave të tilla nuk është urbanizuar më shumë pas Luftës së Dytë Botërore (L2B) e deri me sot sesa Evropa. Sipas Bankës për Investime Evropiane “bota deri në fund të këtj shekulli do të jetë mbi 80% e urbanizuar, gjersa Evropa rreth 90%”. Ky urbanizim i paparë që e ka përfshirë edhe Kosovën pas luftës 1998-1999 do të jetë sfidë për mjedisin dhe tërë njerëzimin.

Urbanizim do të thotë më shumë metropole, më shumë qytete, më shumë ndërtime, më shumë standard jetësor, më shumë infrastrukturë, më shumë qejf, më shumë makineri, më shumë energji, por gjithashtu më shumë edhe nxënie hapësirash tokësore dhe rrezikim i përgjithshëm i mjedisit. Sa më shumë ndërtime aq më të rrezikuara do të jenë ato zona nga vërshimet dhe përmbytjet në rritje gjithandej globit si rezultat i ngrohjes globale dhe dëmeve mjedisore gjithnjë e më të mëdha.

Më të rrezikuarat do të jenë vendbanimet nëpër lugina të ndryshme. Sa më të gjata luginat aq më të mëdha prurjet e ujit dhe aq më e madhe furia goditëse ndaj vendbanimeve. Të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë çmimi të lartë shkatërrimesh po paguajnë Zvicra, Austria, Gjermania, Italia, Franca nga ngushtimet e luginave me ndërtime të shumta. Të njëjtin problem e kanë të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën që kanë rajone malore relativisht të larta me prurje ujore shpesh shkatërruese.

-Advertisement-

Nëse e shikojmë konfiguracionin gjeografik të Komunës së Rahovecit, atëherë e shohim se vërshimet dhe përmbytjet e djeshme kanë dëmtuar më së shumti ato vendbanime që gjenden në ‘gojën e ujkut’ pra në fund të luginave të shumta, të cilat fillojnë rrëzë bjeshkëve duke u mbushur me ujë dhe duke e rritur pastaj sasinë e ujit gjatë tërë rrjedhës si dhe duke i goditur vendbanimet e pozicionuara në fund të luginave sikut fyte të ngushta.

Prandaj, investimet në infrastrukturë nëntokësore, rregullime e zgjerime pse jo edhe thellime të vendeve nga potencialisht do të mund të ketë prurje të mëdha uji përbëjnë sfidën për secilin shtet evropian, e sidomos për ato që kanë shumë terrene malore e bjeshkë të larta. Kosova s’përbën përjashtim. Me një fjalë parandalimi i vërshimeve e përmbytjeve përbën padyshim sfidën më të madhe mjedisore të shekullit 21, kjo në kohën e ndryshimeve të mëdha mjedisore. Askush në Evropë, ashtu sikurse në glob, nuk do të jetë imun ndaj vërshimeve e përmbytjeve.

Prandaj, është esenciale që edhe si qytetarë, përpos shtetit, të mendojmë se edhe një mbeturinë e vetme e hedhur pa vend, nxënie apo bllokim i ndonjë lugine, dëmton mjedisin, shëndetin dhe jetën tonë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera