Lajme

Uran Ismaili shpalos zotimet e tij për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në Hajvali

Autori: Gazeta inFokus 15:58 | 06 October 2021

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili është zotuar për zgjidhjen e shumë problemeve të banorëve në Hajvali.

Gjatë një takimi në këtë lagje të Prishtinës, Ismaili premtoi që Hajvalinë do ta shndërrojë në një vendbanim më të jetueshëm dhe në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

Pretendenti për kryetar i Prishtinës nga PDK u zotua se deri në nëntori të vitit 2024 do të realizojë 15 synimet e tij për banorët e Hajvalisë.

-Advertisement-

“Këtu kam ardhur me një listë zotimesh që ofrojnë zgjidhje për problemet kryesore të lagjes së Hajvalisë. Këto zotime do qëndrojnë mbi nënshkrimin tim… Krijimi i një nënstacioni policor, ndërtimi i qendrës kulturore për komunitetin e Hajvalisë, ndriçim efiçient i të gjitha rrugëve, marrëveshje me Federatën e Futbollit për të lejuar ndeshjet e ekipit të Hajvalisë në stadiumin, largimi i problemit të qenve endacakë, ndërtimi i së paku dy çerdheve publike në Hajvali, legalizimi i pronave dhe zhbllokimi i kapitalit të qytetarëve realizmi i një parku me hapësira rekreative dhe sportive, shirita gjelbërues në rrugët kryesore shtimi i pikave të grumbullimit të mbeturinave dhe shportave të rrugës”, tha ai.

Ismaili tha se Hajvalia është më shumë se lagje e Prishtinës prandaj meriton më shumë kujdes dhe investime publike. Madje ai listoi disa nga problemet që ballafaqohen banorët e kësaj zone.

“Edhe pse pjesë e pandashme e Prishtinës, Hajvalia nuk është trajtuar si e tillë ku ka mungesë të hapësirave të përbashkëta publike ku qytetarët do të mund të takoheshin e të kalonin kohë së bashku. Qendra e Kulturës nuk është funksionale dhe e vjetra është e rrënuar dhe është si gërmadhë. Në Hajvali nuk ka asnjë park, por po ashtu një shqetësim tjetër i banorëve të Hajvalisë është mungesa e legalizimit të dhjetëra pronave”, tha ai.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera