Lajme

Uran Ismaili premton rritje të rrogave në sektorin e shëndetësisë

Autori: Gazeta inFokus 11:19 | 02 January 2018

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj para disa jave ka paralajmëruar rritje të pagës së sektorit publik prej 5%, mirëpo kjo rritje prej 5% nuk iu ka pëlqyer edhe aq sindikalistëve të cilët kanë premtuar protesta në rast se nuk plotësohet kërkesa e tyre për rritje prej 15% të pagave.

I kënaqur me rrogat aktuale të mjekëve nuk është as ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ai ka thënë se krahas investimeve të tjera që do të bëjë në shëndetësi do të kujdeset edhe për rritjen e pagave të tyre, duke shtuar se ato do të jenë të ndërlidhura me kualitetin që i ofrohet qytetarëve.

-Advertisement-

Ndërsa, sa i përket pakënaqësisë së shprehur për rritje të vogël të rrogave, Ismaili ka thënë se është në diskutim me sindikalistët në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme edhe për ta por edhe për buxhetin e Kosovës.

“Unë jam në diskutim me ta, kam vazhduar diskutimin social që e quajmë me sindikatat në mënyrë që të bëjmë një zgjidhje që është e kënaqshme edhe për ata por edhe e pranueshme për buxhetin e Republikës së Kosovës”, tha ai për ekonomiaonline.

“Edhe unë nuk jam i kënaqur me pagat të cilat ata i marrin sot, prandaj do të bëj çmos, siç thashë që krahas investimeve në infrastrukturë, investimeve në barna, investimeve në pajisje, krahas kësaj të ndihmojë edhe në rritjen e pagave”.

“Mirëpo më duhet të them që rritja e pagave duhet të jetë e ndërlidhur edhe me kualitetin që ua japim qytetarëve”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera