Fokus

Uran Ismaili detyron babain e 17 vjeçares të kërkoj ndihmë nga Serbia për shërim të vajzës (DOKUMENT)

Autori: Xhejlane Kaçiu 18:10 | 05 April 2019

Të premten, babai i Dhuratës, Emran Avdiu dërgoi kërkesën e fundit për sigurimin e barërave në Ministrinë e drejtuar nga Uran Ismaili, para se t’i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë në Beograd.

Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës nuk ia ka marrë parasysh as kërkesat e as padinë e bërë nga Emran Avdiu, i cili ka nevojë të siguroj barërat për vajzën e tij 17-vjeçare, e cila vuan nga Hyper Tensioni Pulmenar Primar dhe është i vetmi person me këtë sëmundje në Kosovë.

Shpresat se do të marrë ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë i humbi kur edhe Avokati i Popullit e mbylli rastin e tij, pa i bërë zgjidhje.

-Advertisement-

“Avokati i Popullit e ka mbyllur rastin. Unë i kam reaguar Avokatit të Popullit. Këtë mundeni me pa edhe në dokumente. Kur Ministria e shëndetësisë i ka thënë se e kemi bërë kërkesën në Kroaci për trajtim, dhe Kroacia ka thënë se nuk i fut në listën e pritjes pacientët e shteteve tjera, Avokati i Popullit e ka mbyll rastin. Unë ju kam tregu që zgjidhja nuk është në Kroaci, se Kroacia, Sllovenia e Gjermania pacientët e vet i dërgojnë në Vjenë për transplantim”, thotë Avdiu.

Reagimin ndaj Avokatit të Popullit Avdiu e ka bërë më 2 shkurt të këtij viti, duke përmendur shumat e ndara nga institucionet shtetërore për shërimin e Bujar Bukoshit, Isa Mustafës dhe së fundmi edhe për familjen Daci, pas vdekjes tragjike të djalit të Nexhat Dacit, në qendrën e skijimit në Brezovicë.

I lodhur në kërkim të shërimit të së bijës, kërkesën e ardhshme për ndihmë, Avdiu ka planifikuar ta bëj në institucionet e Serbisë.

“Kjo ishte e fundit. Unë kërkesën a ardhshme kam me ba javën e ardhshme në Ministrinë e Shëndetësisë së Beogradit”, shprehet Avdiu.

Këtë vendim e mori pasi edhe gjatë takimit që kishte me ministrin Ismaili, i cili i kishte thënë se nuk është fare i njoftuar me rastin.

“Ai para se të bëhet ministër ka qenë në një tubim në Shtërpcë dhe më tha se dera është e hapur në Ministri të Shëndetësisë sa herë të dua. Tash, në Ministri mundesh vetëm deri në recepcion me hi. Unë jam shku e kam taku në një konferencë, i dola përpara e ai me tha se nuk është fare i njoftuar me rastin. Ai është edhe i paditur për këtë punë, ka komuniku me Avokatin e Popullit, si ka mundësi të mos jetë i njoftuar për këtë”, tregon Avdiu për gazetën inFokus.

Ai po i kërkon këtij institucioni, së paku barëra për ta mbajtur gjallë të bijën.

E, barërat e duhura për trajtimin e sëmundjes nuk gjenden në listën e barërave esenciale, madje duhet një autorizim nga institucionet për t’i sjell në Kosovës, veçanërisht për Dhuratën.

Bari i cili nuk është i regjistruar në këtë listë është “Bosentan”, për të cilin Avdiu thekson se edhe nëse do t’i kishte paratë për ta blerë, atë nuk e gjen nëpër barnatore.

“Këto barëra janë në listën esenciale në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e në shtetet e tjera të rajonit, por jo edhe në Kosovë, bile nuk është duke u bërë punë në këtë drejtim. Madje në Serbi ka edhe shumë më shumë informacione e klinika ku trajtohet sëmundja”, rrëfen Avdiu për Gazetën Fokus.

Në disa prej kërkesave të tij drejtuar ministrisë së Shëndetësisë, ai u ka treguar atyre se disa herë ka pranuar ndihmë me barëra nga institucionet në Maqedoni dhe në Serbi, gjë për të cilën u është atyre shumë falënderues.

Shteti i Kosovës Avdiut i ka ndihmuar vetëm në vitin 2016, kur aso kohe Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Imet Rrahmani i LDK-së, pati ndarë për sigurimin e barërave 21,800 euro.

Dhurata Avdiu është në fazën e dytë të sëmundjes, ndërsa ende mund të trajtohet në njërën nga klinikat private të Maqedonisë, të cilët i kanë mundësuar që kontrollet t’i bëj pa pagesë. Por, Emran Avdiu tregon se sipas mjekëve atje, duhet të jetë i përgatitur pasi nëse sëmundja kalon në fazën tjetër më nuk ka trajtim as në klinikën në të cilën i bën kontrollet vazhdimisht.

Ai lutë njerëzit e vullnetit të mirë që t’i ndihmojnë atij. Kërkesë për ndihmë Avdiu tregon se i ka dërguar edhe humanistit Halil Kastrati dhe deputetëve Labinot Tahiri, Vjosa Osmani dhe shumë deputetëve të tjerë./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera