Lajme

Universiteti i shitblerjeve të diplomave

Autori: Gazeta inFokus 18:34 | 29 October 2017

Shumica e studentëve të Universitetit të Prishtinës janë në dijeni ose të përfshirë në procesin e shitblerjeve të temave të diplomave në të gjitha nivelet e studimit. Ky është një hulumtim që e ka siguruar Radio Kosova, i cili është bërë nga Instituti Edguard. Çmimet e diplomave variojnë nga 150 deri në 250 euro.

Një studente e nivelit master në Fakultetin Filologjik, ka deklaruar për Radio Kosovën se është e përfshirë në këtë proces. Por, ajo nuk dëshiron të thotë emrin e saj dhe temën e diplomës për arsye sigurie, pasi është në dijeni që është shkelje ligjore.

“Jam në nivelin master në Filologjik. Për arsye që jam në punë, nuk kam pasur kohë të merrem me temë hulumtuese, nmdaj e kam angazhuar dikë që është i asaj fushe. Diku 300 euro më kushton tema. Ai del e bën temën hulumtuese në terren, e unë në fund ia lëshoj një sy dhe e dorëzoj”, tha ajo.

-Advertisement-

Rinor Qehaja nga Instituti Edguar, tha se Instituti Edguar është marrë me anketim të një numri të madh të studentëve, ku, sipas rezultatit, mbi 80 për qind janë në dijeni ose vetë janë të përfshirë në procesin e shitblerjeve të diplomave.

“Kemi vërejtur se sa e lehtë është blerja e temës online, çmimet, procedurat etj. Është vepër penale, por shumë e shpërndarë mes studentëve”, tha ai.

Prorektori për Kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, tha se “ndihma jolegjitime” te punimet akademike është një problem ndërkombëtar. Ai tha se rolin vendimtar e kanë mentorët dhe komisionet që duhet t’i kontrollojnë temat.

“Kontrollimi i temave të diplomave në të tri nivelet, është pjesë e punës së përditshme të mentorëve. Mentorët duhet të jenë të informuar mbi atë se çka është origjinale dhe duhet me shumë kujdes t’i lexojnë e të merren me temën e diplomës dhe përparimin e kandidatëve”, tha ai.

Berisha sqaroi se në rast të shkeljeve të tilla, atëherë merren komisionet disiplinore pranë këshillave të fakulteteve përkatëse.

Këshilli Evropian organizon konferenca çdo vit për këtë dukuri, pasi është problem në shumicën e universiteteve ndërkombëtare. Në gjuhën angleze ka edhe ueb-faqe që merren me kontraktimin e punimeve të diplomave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera