Fokus

Universitetet mbeten pa drejtues

Autori: Agnesa Çitaku 09:55 | 12 November 2018

Tri universitet publike në Kosovë, tash e një muaj kanë mbetur pa organin kryesor udhëheqës.

Universiteti i Gjilanit, Gjakovës e Mitrovicës që nga fillimi i këtij viti akademik nuk kanë Këshill Drejtues.

E përgjegjëse për këtë vonesë po del të jetë Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Ahmet Jashari, zëdhënësi i Universitetit të Mitrovicës, “Isa Boletini” ka thënë për Gazetën inFokus se kanë emëruar pesë anëtarë të Këshillit, ndërsa janë në pritje të MASHT-it.

“Me 30 shtator u ka skadu mandati Këshillit drejtues dhe ne në bazë të rregullores i kemi propozu dhe i kemi votuar në Senat pesë anëtarë dhe e kemi njoftuar ministrinë për emërime dhe presin nga ta të bëjnë emërimin e katër anëtarëve të tjerë të Këshillit”, ka thënë ai.

Ndërsa kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë arsyetim nga MASHT për vonesën.

“Ende nuk kemi pas asnjë shkresë zyrtare për vonesën dhe jemi në pritje për emërimi dhe Këshilli të bëhet funksional”, ka shtuar ai.

E sipas Jasharit, vonimi i emërimit do të paraqet problem.

“ Nuk është shumë kohë e gjatë që ka mbet pa Këshill drejtues, vetëm 1 muaj dhe ashtu Këshilli ka mbajtur mbledhje një herë në muaj dhe deri tani nuk ka paraqitur asnjë problem por nëse zgjatet afati do të ketë probleme”, ka përfunduar ai.
Gazeta inFokus është në pritje të përgjigjeve nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me këtë çështje.

Edhe “Fehmi Agani” e “Kadri Zeka” pa këshill drejtues.

Linda Dula Halilabazi nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, ka konfirmuar për Gazetën inFokus se edhe Këshillit politik në Universitetin e Gjakovës i ka skaduar mandati.

Ndërsa edhe ky Universitetit i ka zgjedhur anëtarët e Këshillit nga stafi.

“Senati i Universitetit e ka bërë përzgjedhjen e anëtareve për Këshill Drejtues nga stafi i Universitetit. Janë 4 anëtare meqë Këshilli Drejtues i UGJFA ka 7 anëtare”, ka thënë ajo.

Halilabazi ka shtuar se janë në pritje të emërimeve nga MASHT.

“Në MASHT kemi dërguar me kohë njoftimin për zgjedhjen e anetarëve të KD nga Universiteti. Jemi ne pritje për anëtaret e emëruar nga Ministri i MASHT per KD.”, ka thënë ai.

E në këtë Universitet nuk kanë paraqet ndonjë pengesë mungesa e Komisionit drejtues.

“Nuk kemi ndonjë pengese për shkak te mungesës se KD meqë çështjet qe lidhen me vendimet e KD kane qene te rregulluara paraprakisht sipas procedurave (përcaktimi dhe ndarja e buxhetit) dhe momentalisht nuk ka ndonjë urgjence”, ka përfunduar, Halilabazi.

Edhe Minire Rexhepi, zyrtare për informimin në Universitetin e Gjilanit ” Kadri Zeka” ka konfirmuar për Gazetën inFokus se Këshilli drejtues është pa mandat.

Qehaja: Vonesa është e pa kuptimtë.

Ndërsa Rinor Qehaja nga Instituti i arsimit “EdGuard” ka thënë për Gazetën inFokus se është e pakuptimt kjo vonesë nga MASHT.

“Duke ditur përgjegjësitë që ka Këshilli Drejtues, dhe aq më shumë kur të gjithë anëtarët e këshillit janë për të përzgjedhur nga MASHT, është e pakuptimtë që MASHT në këtë mënyrë të pengoj ecurinë e punës në këto universitete, aq më shumë kur skadimi i mandatit është diçka për të cilën MASTH do të duhej të ishte në dijeni muaj më parë.”, ka thënë ai.

Madje Qehaja ka shprehur dyshimet se procesi mund të manipulohet.

“Kam frikë që sa më shumë të zgjatet përzgjedhja e anëtarëve aq më shumë do të ngritën dyshimet për manipulime në këtë proces.”, ka përfunduar ai.

Ndryshe sipas Statutit të Universiteti, Këshilli përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë votë, katër nga këta anëtarë emërohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës ndërsa pesë nga personeli akademik i Universitetit.

“Mandati i anëtarëve të Këshillit drejtues zgjat tri vjet me rizgjedhjeje edhe për një mandat. për Këshillin drejtues mbahen në qershor kurse mandati i Këshillit drejtues fillon më 1 tetor”, thuhet në Statut.

E Këshilli drejtues është autoriteti kryesor qeverisës i Universitetit.

Ai ka përgjegjësi për funksionimin efektiv institucional të Universitetit, ka përgjegjësi për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Anëtarët e këtij Këshilli i raportojnë Ministrisë së Financave për shfrytëzimin e mjeteve që i janë ndarë këtij Këshilli./Gazeta inFokus/

Të tjera