Lajme

Unioni i Shqiptarëve në Kroaci i reagon Millanoviçit: Jemi të zhgënjyer me deklaratën për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 19:06 | 30 January 2023

Presidenti kroat Millanoviq kritikoi vendet perëndimore duke thënë se Rusia do të përdorë atë që ai e quajti “aneksim i Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar, si një justifikim për marrjen e pjesëve të Ukrainës.

Në konferencën e sotme për shtyp të mbajtur në Petrinja, Presidenti i Republikës së Kroacisë tha ndër të tjera:

“Rusët janë cinik, do të thirren në aneksimin e Kosovës, që unë e mbështesë”, tha presidenti kroat.

-Advertisement-

“Ne e njohëm Kosovën kundër vullnetit të një shteti (Serbisë) të cilit i përkiste Kosova”, tha ai, duke tërhequr vërejtjen se nuk po e vinte në dyshim pavarësinë e Kosovës por konceptin e standardeve të dyfishta perëndimore.

Ndërkaq reagimi i menjëhershëm i gazetarit ishte, “kush e ka aneksuar Kosovën?”

“Faktori ndërkombëtar, ne. Kosova është marrë nga Serbia. A e kemi njohur Kosovën, po. A qëndroj me Kosovën, po. Por kur diçka bëhet pa vullnetin e shtetit, të cilës Kosova i përkiste, e që është Serbia – ishte vetëm çështje kohe kur rusët apo pala e tretë do ta bënte të njëjtën gjë”, shtoi Millanoviq.

Këto deklarata kanë shqetësuar Unionin e Shqiptarëve në Kroaci.

Ata shprehen shumë të habitur në lidhje me deklaratat e presidentit Millanoviq.

“Duke ditur historinë tonë të përbashkët, të cilën e kaloi Republika e Kroacisë në fillim të viteve 90-të dhe Kosova në vitin 98/99, unë jam thellësisht i habitur dhe i zhgënjyer nga deklarata e Presidentit Millanoviq”, shprehet kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë.

“Meqë të dy kombet tona janë lidhur që nga lufta në Republikën e Kroacisë, kur shqiptarët dolën vullnetarë për mbrojtjen dhe krijimin e Republikës së tanishme të Kroacisë, një deklaratë e tillë nuk është e përshtatshme për marrëdhëniet tona të thella e miqësore që kemi ndërtuar deri më sot”.

“Republika e Kroacisë ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe vendosi marrëdhënie diplomatike dhe politike bazuar në partneritetin, bashkëpunimin dhe ushqyerjen e vlerave evropiane”, thuhet tutje në reagim.

“Gjithashtu, Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm përpjekjet e Republikës së Kosovës për integrimin e saj euro-atlantik dhe forcimin e pozitës së saj në Evropën Juglindore.

Prandaj, si President i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, shpresoj se do të vazhdojmë të kemi Republikën e Kroacisë si një partner në udhëtimin tonë evropian dhe se miqësia jonë vetëm sa do të na forcojë dhe do të na lidhë më shumë”, thuhet tutje në deklaratë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera