Lajme

Ulutash: Vetëm zgjidhje politike mes Kosovës e Serbisë, NATO mbështet dialogun e BE-së

Autori: Gazeta inFokus 19:12 | 24 April 2024

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, në një video-adresim, ka folur për vizitat që ai ka pasur në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ai gjatë kësaj vizite është takuar me zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë të NATO-s, duke përfshirë sekretarin e përgjithshëm Jens Stoltenberg dhe ambasadorë nga të gjitha vendet që kontribuojnë me trupa në misionin KFOR-i.

I pari i KFOR-it ka thënë se vizita e tij ka qenë mjaft produktive dhe se ai ka informuar bashkëbiseduesit e tij me mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe mbi prioritetet e KFOR-it në të ardhmen.

-Advertisement-

Gjeneralmajor Ozkan Ulutash tha se NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e BE-së ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa kërkoi nga palët të përmbahen nga retorika dhe veprimet destabilizuese, dhe në vend të kësaj të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim.

“Së pari, aleatët dhe partnerët e NATO-s mbështesin plotësisht përpjekjet tona të përditshme për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Sipas mandatit tonë, bazuar në Rezolutën 1244 të KS të KB-ve të vitit 1999. KFOR-i mbetet një shtyllë themelore për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”.

“Së dyti, KFOR-i është misioni më i gjatë dhe tani më i madh i NATO-s dhe përfaqëson një demonstrim konkret dhe të prekshëm të përkushtimit të palëkundur të NATO-s për stabilitetin rajonal. NATO vazhdon në rrugën e vet. Ne do të sigurojmë që misioni ynë të mbetet i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së si reagues i tretë i sigurisë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit”.

“Së treti, mund të ketë vetëm një zgjidhje politike për situatën aktuale. Një zgjidhje që njeh dhe respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në këtë aspekt, NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij mbështetës. Një zgjidhje e qëndrueshme politike varet, në fund të fundit, nga një angazhim i të gjitha palëve për t’u përmbajtur nga retorika dhe veprimet destabilizuese, dhe në vend të kësaj të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim. Kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë për një të ardhshme më të mirë për gjeneratat që do të vijnë, dhe për stabilitetin rajonal”, ka thënë Ulutash.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera