Lajme

Ulet numri aksidentet në komunikacion, këto janë arsyet

Autori: Gazeta inFokus 13:43 | 12 October 2020

Numri i aksidenteve në trafik ka shënuar rënie gjatë muajve janar-shtator të këtij viti, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjatë kësaj kohe 51 aksidente kanë përfunduar me fatalitet ndërsa vitin e kaluar kishin humbur jetën 66 persona nga aksidentet në trafik, shkruan Gazeta Infokus.
Nga të dhënat e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se edhe numri i aksidenteve me lëndime edhe aksidenteve me dëme ka pësuar ulje.

“Në periudhën janar-shtator 2019 janë regjistruar 4443 aksidente me lëndime, ndërsa gjatë kohës së njëjtë të këtij viti numri është zvogëluar në 3663”, thuhet në të dhënat e Policisë së Kosovës, siguruar nga Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Sipas të dhënave numri i rasteve të personave që janë lënduar në aksident të komunikacionit është uluar për 1800.

Me numër më të vogël se vitin e kaluar kanë qenë edhe aksidentet në total dhe gjobat e shqiptuara.

Sipas Policisë mosrespektimi i rregullave të komunikacionit dhe papërgjegjësia e shoferëve janë shkaqe kryesore të aksidenteve.

“Mund të veçojmë se mosrespektimi i rregullave dhe shenjave të trafikut, pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë mbeten ndër shkaktarët e humbjes së jetëve njerëzore në trafik, prandaj drejtuesit e automjeteve janë bartës kryesor të përgjegjësive gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe të njëjtit duhet të jenë mjaftë të matur dhe vigjilent në respektimin e rregullave dhe shenjave në trafik”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Por sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, aksidentet po ndodhin jo vetëm për shkak të shkeljes së rregullave të komunikacionit. Sipas tij edhe mënyra se si qytetarët po pajisen me patentë shofer po ndikon në numrin e madh të aksidenteve.

“Shkaku kryesor i aksidenteve në rrugët e Kosovës është procesi i marrjes së patentshoferëve, ku nga një hetim paraprak patëm arrestime në këtë sektor të Ministrisë së Infrastrukturës” deklaroi Shala.

Tutje ai shtoi se element kryesor pse Kosova ka regjistruar më pak aksidente gjatë këtij viti ka të bëjë edhe me situatën pandemike.

“Një nga pikat kryesore te zvogëlimi i aksidenteve është kriza ekonomike që ka përfshire Kosovën në kohë pandemie, si dhe izolimi që është bërë nga muaji mars deri në qershor, por edhe kufizimet nga orët e mbrëmjes deri në mëngjes si rezultat i vendimeve nga ana e qeverise se vendit”, thuhet në përgjigjen Shalës. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera