Lajme

Ukraina: Rusia ka kidnapuar dy zyrtarë në centralin e Zaporizhjas

Autori: Gazeta inFokus 10:39 | 18 October 2022

Kompania shtetërore për energji bërthamore në Ukrainë, Enerhoatom, ka akuzuar Rusinë për “kidnapim” të dy punëtorëve në centralin bërthamor në Zaporizhja.

Ky central kontrollohet nga forcat ruse, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Zyrtari përgjegjës për teknologji informative, Oleh Kostyukov dhe Oleh Oshek, asistent i drejtorit të centralit bërthamor, janë kidnapuar më 17 tetor, ka thënë Enerhoatom në Telegram më 18 tetor.

-Advertisement-

“Aktualisht asgjë nuk dihet për ta dhe gjendjen e tyre”, është thënë në deklaratën e Enerhoatomit.

Kjo kompani i ka bërë thirrje Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike që të bëjë “çdo përpjekje” për të siguruar lirimin e tyre.

Kjo agjenci ka thënë se Rusia e ka ndalur shefin e centralit, Ihor Murashov, për disa ditë muajin e kaluar dhe më pas ai është liruar më 3 tetor.

Centrali bërthamor në Zaporizhja – më i madhi në Evropë – ka qenë një nga shënjestrat e ushtrisë ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëri-tjetrin për bombardimet rreth centralit, të cilat kanë rritur shqetësimet për katastrofë bërthamore.

Mediat kanë raportuar disa herë se stafi në këtë central ka punuar nën presion dhe jo në kushte të favorshme, prej kur forcat ruse kanë marrë kontrollin e tij. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre/REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International

Të tjera