Lajme

Ujmani rrezikon të mbetet në Serbi, në Ibër-Lepenc nuk flasin asnjë fjalë

Autori: Sylejman Sylejmani 13:08 | 12 September 2018

Liqeni i Ujmanit është një prej çështjeve kryesore të përplasjeve të forta në bisedimet e Brukselit, mes Kosovës e Serbisë.

Të dyja vendet po ‘luftojnë’ që ta kenë atë brenda territorit të vet.

Nga ky liqe Kosova ka varësi shumë të madhe. Furnizimi me ujë e rrymë për gjithë territorin e Kosovës, varet shumë nga Ujmani.

-Advertisement-

Sipas përllogaritjeve, termocentralet e Kosovës do të arrinin të prodhonin rrymë për vetëm tetë orë në ditë, nëse atyre u ndalet furnizimi me ujë nga ky liqe.

Keq vendi do të mbetej edhe për ujë.

Megjithatë, për këtë çështje nuk duan të flasin zyrtarë të Ibërlepencit.

Në një përgjigje përmes telefonit për gazetën inFokus, ata theksojnë se flasin vetëm për të tashmen, e jo për të ardhmen.

“Ne nuk mund të supozojmë për diçka që nuk ka ndodhë. Nuk përgjigjemi në rast se ndodh, se nuk e dimë. Folim veç për të tashmen, e për të tashmen i kemi këto. Gjithçka është duke shkuar në rregull me të gjithë konsumatorët që i kemi. Nuk kemi ndonjë ankesë ose diçka”, kanë thënë në zyrën për informim në këtë kompani.
Madje sipas tyre krejt kjo nuk është çështje e tyre.

“Nuk është çështje e jona. Mbi të gjitha ju e dini që aksionar e kemi qeverinë dhe këto janë çështje më madhore, ka kush merret me to. Po e kuptoj që krejt janë të interesuar, por kjo është përgjigja prej anës sonë”, thonë në Ibër-Lepenc.

Liqenin e Ujmanit këtë vikend e vizitoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq nga Ujmani theksoi se Serbia po investon miliona në këtë liqe, prandaj ai u takon atyre. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera