Lajme

Ujësjellësi fajëson komunën për vërshimet në Prishtinë

Autori: Gazeta inFokus 14:17 | 02 August 2018

KRU Prishtina ka fajësuar komunën e Prishtinës se nuk ka intervenuar në infrastrukturën ekzistuese të rrjetit të kanalizimeve, si rezultat i të cilit po shkaktohen vërshime në qytet sa herë kur ka reshje të vrullshme.

Në një komunikatë për media, kompania në fjalë përkujton se linjat e kanalizimit  në qytetin e Prishtinës janë shumica të vjetra dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit në rastet kur ka reshje të shumta shiu.

“Përderisa qyteti i Prishtinës pothuajse në çdo lagje ka pësuar ndryshime në ndërtime te larta – objekte banesore – rritje e tejskajshme e numrit të banorëve, është dashtë që Komuna e Prishtinës të intervenojë edhe në infrastrukturën ekzistuese gjë që nuk është bërë andaj,  kjo me automatizëm ndikon në ngarkesë më të madhe shkarkuese të sistemit të kanalizimit dhe përmbytje në shumë lokacione brenda qytetit”, thuhet në komunikatë.

-Advertisement-

Ujësjellësi i Prishtinës përkujton se nuk mirëmban dhe nuk ndërton rrjetet e kanalizimeve atmosferike pasi që kjo përgjegjësi i takon vetëm Komunës.

“Në bazë të takimeve të fundit me përfaqësuesit e tyre, na është konfirmuar që për këtë vit, nuk kanë më shumë linja buxhetore për investime në ndërrime rrjetash të kanalizimeve, por bashkërisht do t’i trajtojmë projektet për vitin vijues, me qëllim të një zgjidhjeje sa më të mirë për problemet me vërshime”, përfundon komunikata e KRU Prishtina.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera