Sport

UEFA zbulon disa ndryshime për Kampionatin Evropian ‘EURO2020’

Autori: Gazeta inFokus 16:38 | 23 April 2021

Komiteti Ekzekutiv i UEFA u mblodh sot përmes video-konferencës dhe diskutoi një sërë çështjesh që kishin të bënin me organizimin e finaleve të kampionatit europian 2020. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Në komunikatën zyrtare për shtyp, UEFA bën me dije se u informua për konfirmimin e dhënë nga autoritetet lokale se të katër ndeshjet e EURO 2020 në Mynih do të jenë në gjendje të mirëpresin minimumi 14,500 spektatorë. Mynihu u konfirmua si një nga vendet pritëse për finalet e kampionatit europian.

Komiteti më pas vendosi të ndryshojë disa nga vendet pritëse për ndeshjet e UEFA EURO 2020 si më poshtë:

Të katër ndeshjet e planifikuara fillimisht për t’u zhvilluar në Bilbao, do të zhvendosen në “Estadio La Cartuja” në Sevilje. Organizimi dhe pritja e këtyre ndeshjeve mbështetet nga Komuniteti Autonom i Andaluzisë, që ka konfirmuar synimin e tij për të lejuar spektatorët në 30% të kapacitetit të stadiumit për tre ndeshjet e Grupit E dhe një ndeshjeje për raundin e të 16-tave.

Pas vendimit të autoriteteve lokale, ishte e qartë se tifozët nuk kishin shumë të ngjarë të ishin në gjendje të ndiqnin në stadium ndeshjet që ishin planifikuar të luheshin atje. Prandaj, me ndihmën e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), UEFA propozoi që këto ndeshje të transferohen në një qytet tjetër, po në të njëjtin vend pritës, thjesht për të lejuar tifozët të ndjekin ndeshjet në stadium më shumë se një vit pas mbylljes së stadiumeve për shkak të pandemisë. Ky vendim do të krijojë një atmosferë festive në të gjitha ndeshjet që zhvillohen në turneun e UEFA-s, më i rëndësishmi për ekipet kombëtare në Europë.

Të tjera