Sport

UEFA nuk rri duarkryq, heton golat e dyshimtë në Shqipëri

Autori: Gazeta inFokus 15:26 | 07 August 2018

Mediat bëjnë të ditur se UEFA ka nisur hetimet për ndeshjen e Luftëtarit ndaj Ventspils, bashkë me dy sfida të tjera të cilat janë sinjalizuar nga kompanitë e basteve në botë si të dyshimta.

Digisport. rrjeti i famshëm sportiv rumun, ka bërë të ditur se ndeshjet e xhiros së dytë të kualifikimeve në Europa League që kanë tërhequr vëmendjen e organizatës ndërkombëtare janë duelet Rio Ave- Jagelonia si dhe Atalanta-Sarajevo, ndërsa në xhiron e parë po hetoheshin duelet mes Luftëtarit dhe Ventspils.

Sfida e parë e skuadrës shqiptare përfundoi me fitoren 5-0 të letonezëve në fushën e tyre ku dominuan ndaj gjirokastritëve që në pjesën e parë të ndeshjes. Ndërkohë, në ndeshjen e kthimit, ekipi gjirokastrit barazoi 3-3 por u përball me akuza të shumta nga çdo vend i botës për manipulim të rezultatit për shkak të luhatjes së çuditshme të koeficienteve si dhe të sjelljes së futbollistëve në fushë, sidomos në momentin e golit të barazimit 3-3.

-Advertisement-

Sa i përket ndeshjeve mes Jagellonia dhe Rio Ave, dyshimet kanë lindur pasi në Polonia ndeshja përfundoi 1-0 për vendasit, kurse në Portugali nisi një festival i pazakontë golash me rezultatin përfundimtar 4-4. E njëjta gjë edhe për duelet mes Atalantës dhe Sarajevës.

Në Itali, dueli i parë u mbyll me shifrat 2-2, pasi italianët kryesonin 2-0 por pësuan 2 gola me të vetmet gjuajtje në portë që bënë kundërshtarët. Ndeshja e kthimit në Bosnjë Hercegovinë ishte krejtësisht ndryshe, pasi Atalanta fitoi me lehtësi duke shënuar 8 herë në portën kundërshtare.

Të gjitha palët dyshohen për marrëveshje mes tyre me qëllimin për të siguruar rezultatet në favor të basteve sportive.

Insporti kishte raportuar po ashtu se UEFA sivjet ka dënuar Skënderbeun, kampionin e shumëfishtë të Shqipërisë me përjashtim dhjetë vjeçar nga garat evropiane, kurse klube tjera shqiptare kanë qenë nën hetime apo të dënuara edhe më herët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera