Lajme

“Udhëtim i errët për pare, famë e lavdi”, Boiken Abazi godet Luiz Ejllin pas paraqitjeve të tij me Ramën

Autori: Gazeta inFokus 14:44 | 22 May 2023

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi e ka goditur Luiz Ejllin, 37-vjeçarin që fitoi “Big Brother VIP Albania”, i cili së fundmi u paraqit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në një ‘podcast’.

Abazi thotë se veprimet e Luizit “drejtohen vetëm nga interesi i ngushtë personal”. Sipas tij, Luizi “pasqyron një udhëtim të errët dhe amoral për pare, famë dhe lavdi, duke tërhequr njëkohësisht ndaj vetes adhurimin dhe përbuzjen”. Ai ka renditur edhe më shumë akuza, si ajo që Luizi “përdor dredhitë, intrigat dhe makinacionet për arritjen e qëllimeve personale”, e që “nuk përfaqëson model të moralit dhe sakrificës për të mirën e përbashkët”.
Luizi, sipas ish-drejtuesit të qendrës së LVV-së në Shqipëri, është “antiheroi” që në fund, siç thotë ai, nënshtrohet ndaj sistemit të pushtetit ku jeton “duke e legjitimuar dhe duke ia zgjatur edhe më shumë jetën” atij sistemi.

Abazi thotë për Luizin, njeriun më të përfolur të muajve të fundit në Kosovë dhe Shqipëri, se “përfaqëson kulturën e përgjithshme dhe sipërfaqësore ‘pop’, pa përmbajtje të thellë dhe pa asnjë synim emancipues”.

-Advertisement-

Postimi i plotë i Boiken Abazit:

Disa pika të shkurtra pse Luizi është (anti)heroi i adhuruar i (frymës së) kohës sonë:

1. Veprimet e tij drejtohen vetëm nga interesi i ngushtë personal.

2. Qasja e tij është cinike mbi shoqërinë dhe çdo vlerë që tejkalon interesin e ngushtë personal.

3. Përdor dredhitë, intrigat dhe makinacionet për arritjen e qëllimeve personale, pa e vrarë shumë mendjen mbi pasojat për të tjerët.

4. Nuk përfaqëson një model të moralit dhe sakrificës për të mirën e përbashkët, por as nuk përsonifikon të keqen e kulluar. Antiheroi, edhe pse paraqet fillimisht një rebelim simbolik ndaj sistemit, me aktet e tij çon në fund thjesht te nënshtrimi ndaj sistemit të pushtetit ekonomiko-politik ku jeton, duke e legjitimuar dhe duke ia zgjatur edhe më shumë jetën këtij sistemi.

5. Përfaqëson kulturën e përgjithshme dhe sipërfaqësore “pop”, pa përmbajtje të thellë dhe pa asnjë synim emancipues.

6. Pasqyron një udhëtim të errët dhe amoral për pare, famë dhe lavdi, duke tërhequr njëkohësisht ndaj vetes adhurimin dhe përbuzjen.

7. Shërben si personazh që i mundëson njerëzve të ndihen të justifikuar dhe të falur për “mëkatet” që kryejnë, për mangësitë karakteriale, për mosdijen dhe për veprimet e tyre amorale. Antiheroi adhurohet, sepse nëse ai ia “del” (në kuptimin e ngushtë personal për të siguruar pare, famë e lavdi) me metodat e tij makiaveliste, atëherë edhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë janë të falur e të justifikuar për amoralitetin e veprimeve të tyre.

“Rroftë Luizi, poshtë shoqëria!”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera