Lajme

Udhërrëfyesi i ri për vizat, i papranueshëm për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 23:19 | 28 June 2022

Deklarata e ish-presidenti Hashim Thaçi për liberalizimin e vizave u dha pasi Kosova përmbushi të gjitha kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian për të hequr regjimin e vizave për kosovarët.

Tri vjet më vonë i njëjti urim erdhi nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, pasi qeveria e tij përmbushi një kusht të ri, kësaj radhe politik, e që ishte ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Por edhe pse kanë kaluar gjashtë vjet që kur Kosova i kreu të gjitha detyrat, vizat kosovarëve ende nuk iu kanë hequr.

Për më tepër, komisionari i BE-së për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhej, paralajmëroi udhërrëfyes shtesë për të arritur tek liberalizimi i vizave.

E dikush që kishte qenë ministër i integrimeve evropiane, thotë se ky propozim duhet hedhur poshtë nga qeveria aktuale e Kosovës.

Edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e quajti të pakuptimtë deklaratën e komisionarit të BE-së.

Të njëjtin mendim e ka edhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, i cili e quajti raciste politikën e BE-së karshi Kosovës.

Megjithatë zëdhënësja e Komisionit Evropian, për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit, Ana Pisonero, sqaroi të martën se nuk ka planifikuar asnjë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Të tjera