Fokus

U përurua Xhamia Muze e Bubavecit të Malishevës

Autori: Samire Jaha 21:09 | 15 June 2022

Në Bubavec të Malishevës është promovuar këtë të mërkure Muzeu i Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve dhe i Kauzës Kombëtare Shqiptare, i cili ka një rëndësi të veçantë për shkak të peshës që ka bartur Xhamia Muze e Bubavecit, 32 vite më parë në masivizimin e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve dhe Ngatërresave në tërë Kosovën.

Në prani të shumë personaliteteve të shquara dhe klerëve fetarë ky manifestim dhe hapja solemne e Xhamisë Muze të Bubavecit solli në kujtesë rëndësinë e unitetit dhe faljes si akti më sublim i një njeriu dhe si akti më patriotik i një shqiptari, shkruan Gazeta Infokus.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, duke iu adresuar të pranishmëve, solli në kujtesë rëndësinë e hapjes së këtij muzeu.

-Advertisement-

“Dita e sotme e një rëndësie të shumëfishtë, për faktin se sot në 32 vjetorin e Kuvendit të Bubavecit, pikërisht në vigjilje të shënimit të Ditës së Çlirimit po përurohet Muzeu Kombëtar i Pajtimit të Gjaqeve, i cili është ndërtuar kryesisht në baza vullnetare, për çfarë u jemi edhe mirënjohës, njerëzve të vullnetit të mirë fshatit Bubavec, por edhe shumë bamirësve të tjerë që për asnjë moment nuk janë ndalur, duke përkrahur dhe financuar ndërtimin dhe përfundimin e këtij projekti kaq përmbajtësor, jo vetëm për fshatin Bubavec, por edhe për të gjithë Llapushën edhe më gjerë”, tha kryetari Ekrem Kastrati.

Kurse, Prifti i Kishës Katolike të Kosovës, Dom Lush Gjergji, në fjalimin e tij drejtuar masës dha mesazhe të fuqishme drejtuar qytetarëve, se sa e rëndë ishte pasha e gjakut dhe gjakmarrjes për shqiptarët, duke e krahasuar gjakmarrjen me robërinë shekullore otomane dhe serbo-sllave.

“Në pajtimin e gjaqeve kuptuam se përpos sundimtarëve dhe okupatorëve shekullor turko-otoman dhe serbo-sllav, është një okupim, është një kancer i shpirtit edhe më i rrezikshëm, e kjo është urrejtja, kjo është hakmarrja, kjo është gjakmarrja, e cila siç e kam cilësuar atëherë, vazhdoj ta theksoj se është vetëvrasje, vëllavrasje dhe vrasje dhe kur populli e kuptoj porosinë në krye me njeriun e madh që e zgjodhi Zoti dhe e qiti populli, personin e drejtë profesorin Anton Qeta, me gjithë ata miq dhe dashamirë dhe bashkëpunëtor, atëherë si sot, siç jam para jush dolëm para popullit me një kërkese të vetme, të vëllazëruar, të bashkuar dhe të pajtuar jemi të pathyeshëm”, tha pos tjerash Dom Lush Gjergji.

Kurse profesori dhe historiani, Hakif Bajrami, duke folur për Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve dhe ngatërresave, tha se kjo ishte platforma e lëvizja politike e kombëtare që përgatiti popullin për luftën çlirimtare, pa të cilën nuk do të ishim këtu ku jemi sot.

“Qytetarë të nderuar ta dini se pa luftën e Adem Jasharit pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot”, ka thënë mes tjerash historiani Hakif Bajrami.

Kurse iniciatori i themelimit të Xhamisë Muze të Bubavecit, njëherit edhe aktivist i shquar i Lëvizjes për Pajtim, Mulla Xhevat Kryeziu, e që është edhe imam i Xhamisë Muze të Bubavecit, evokoi kujtime kur 32 vite më parë në Xhaminë e Bubavecit, në tubimin ku morën pjesë mbi 250 mijë qytetarë, u falën 40 gjaqe e shumë plagë që rëndonin supeve të qytetarëve të kësaj treve.

“Me 26 prill 1990 në ditën Bajramit, ne kuvendin e xhamisë të Bubavecit me pjesëmarrjen e mbi 250 mijë njerëzve nga të gjitha viset e Kosovës u falën mbi 40 gjaqe dhe shumë plagë e ngatërresa. Kuvendi I Bubavecit e përcjell mesazhin më të fuqishëm se shqiptarët dinë të falin edhe dinë të bashkohen pa marrë parasysh përkatësinë fetare bashkë për pajtim e festë ishin myslimanët e krishterët, të gjithë si vëllezër”, tha mes tjerash Mulla Xhevat Kryeziu, duke treguar se ndjehet krenar që ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të plakut të urtë e të mençur Anton Çeta.

Në këtë ceremoni solemne të përurimit të Xhamisë Muze, me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe profesori dhe historian Mehmet Rukiqi, i cili vuri në pah rëndësinë Besës ndër shqiptarët.

“Bubaveci ishte ndër fshatrat më të dashur të Ramadan Shabanit, Ramadani ka pleqënue jetue dhe e ka ngrit lartë këtë fshat. Prej të gjitha virtyteve më të larta kombëtare, unë e kom nda vetëm besën, se në mbështetje të besës jena rritur edhe arritur këto rezultate të juaja që u përmenden dhe unë nuk do të i përsëris. Besa është fjalë shqipe që do të thotë, lidhje e besim i fortë, që nëse ka nevojë edhe me jetë të paguhet. Besa për shqiptarin nuk ka qenë thjeshtë besnikëri e fjalë nderi apo kategori morale, por institucioni më i lartë juridik popullor mbarë shqiptarë”, pohoi profesori dhe historiani Mehmet Rukiqi.

Ndërsa kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërrnava, në fjalën e tij në këtë rast, tha se ky muze do të shërbejë për ta njohur së afërmi Lëvizjen Popullore për Pajtimin e Gjaqeve.
“Hapja e Muzeut të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve sot në Bubavec do të shërbejë që të kujtojmë të njihemi të mësojmë dhe të vlerësojmë më saktë dhe më për së afërmi lëvizjen tonë për pajtimin e gjaqeve”, tha Tërrnava.

Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë ndonjë eksponat me vlerë ta sjellin në Xhaminë Muze të Bubavecit, sepse kështu i kontribuojnë begatisë së muzeut dhe e bëjnë atë dëshmi të fortë të lëvizjes për liri e pavarësi.

“Më lejoni që këtë fjalimin tim ta përfundoj me një apel nga thellësia e zemrës për të gjithë ata që kanë ndonjë eksponat me vlerë që ta sjellin dhe të ia dorëzojnë muzeut të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në këtë mënyrë që duke e begatuar atë me materiale, ta bëjmë dëshmitare edhe më të fortë të lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Zoti ju bekoftë dhe qofshi gjithmonë faqebardhë”, përfundoi fjalën e tij Myftiu Naim Tërrnava.

Kujtojmë se Xhamia e Bubavecit, ka një histori të jashtëzakonshme në masivizimin e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve dhe Ngatërresave dhe bashkë me Imamin e saj Mulla Xhevat Kryeziu, ishin institucioni unifikues, nga ku morën hov të gjitha iniciativat për çlirim e mbrojtje nga okupatori pushtues serb, i cili gjatë luftës në shenjë hakmarrje dogji Xhaminë, si çdo shtëpi e objekt kulti anë e kënd Kosovës.

Xhamia Muze e Bubavecit, mbetet e hapur për vizitorët dhe në pjesën muzeale të saj ka dëshmi e eksponate nga të gjitha etapat e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve dhe Ngatërresave, e që me të drejtë cilësohet si Lëvizja Gjithëkombëtare për Pajtim e Çlirim./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera