Lajme

“U përqafuan e u puthën me Vuçiqin”, ja çfarë thotë Hoti për deklaratën e Trump

Autori: Gazeta inFokus 15:25 | 28 October 2020

Kryeministri Avdullah Hoti ka refuzuar të komentojë deklaratat e Presidentit Trump, i cili dje në kampanjën zgjedhore në ShBA tha se ka ndalur luftën 400 vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë kur më 4 shtator udhëheqësit e dy shteteve, Hoti dhe Vuçiq u përqafuan dhe u puthën pasi nënshkruan marrëveshje.

Kryeministri Hoti sot pas vizitës në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik i pyetur nga mediat nëse deklarata e Trump është e vërtetë, ai u shpreh shkurt se nuk komenton deklaratat e të parit të Amerikës.

“Nuk i komentoj deklaratatat e presidentit Trump”, tha Hoti.

-Advertisement-

Dje, Presidenti Trump gjatë një tubimi të kampanjës elektorale tha se ka ndalur luftën 400 vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë.

“A e dini se jam nominuar për tri Çmime Nobel për Paqe, a mund ta besoni këtë? A mund ta besoni këtë”, tha ai para përkrahësve, para se ata të shpërthenin në brohoritje.

“…dhe për rajone të ndryshme, si mes Kosovës dhe Serbisë, jemi duke bërë marrëveshje, e dini, marrëveshje tregtare. Unë thashë: Pritni një minutë, a nuk e luftojnë ato njëra-tjetrën gjithmonë? Po. Për shumë dekada. Si e dite? Unë thashë: E di, ata e luftojnë njëri-tjetrin tërë kohën”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Më pas, ai tha: “Tregojuni se ne nuk do të bëjmë kurrfarë biznesi me ta – ata e duan biznesin tonë, apo jo – nuk do të bëjmë kurrfarë biznesi pa bërë marrëveshje që ata të ndalen së vrari njëri-tjetrin dhe e dini çka? Zgjati rreth 20 minuta”, tha presidenti amerikan.

“Ata kanë luftuar për 40 vjet. Unë mendoj se ata kanë luftuar për 400 vjet, a doni ta dini, por ata kanë qenë duke luftuar për një kohë të gjatë. Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Krejt papritmas, dy muaj më parë, ata ishin në Zyrën Ovale, duke u përqafuar e duke u puthur, ishte e lehtë”, deklaroi në fund Trumpi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera