Lajme

U nis si rast i madh kundër bixhozit ilegal, Prokuroria i mbyll hetimet

Autori: Gazeta inFokus 14:22 | 07 May 2025

Në fillim të prillit, 2023, Policia e Kosovës pati arrestuar dhjetë persona për shkak të dyshimit se personat e dyshuar kanë qenë të përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Operacioni policor ishte realizuar në dy rajone të Republikës së Kosovës, në Prishtinë dhe Pejë.

Por, tashmë prokuroria ka mbyllur hetimet.

-Advertisement-

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datën 05.09.2022, ka pranuar nga Policia e Kosovës – DHKO, një shkresë (kërkesë për fillimin e hetimeve), kërkesa me Nr. reference 2022-DHKO-064 dt.05.09.2022, sipas të cilës kërkesë në bazë të informatave të siguruara nga një burim i informacionit personi Arben Neziraj, është duke drejtuar një grup kriminal të organizuar të cilët merren me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Sipas këtij burimi, Arbeni organizon lojëra të fatit dhe në 4 (katër) qytete të Kosovës, ka lokale ku zhvillohen këto lojëra, si në Prishtinë, Pejë, Rahovec dhe Gjilan, ndërsa pikën kryesore të grumbullimit të parave të fituara në mënyrë të kundërligjshme të organizimit të këtyre lojërave e ka në Fushë Kosovë. Lojërat e bixhozit, i akuzuari Arben Neziraj, kryesisht i ka organizuar online”, thuhet aty.

PSRK, shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjitha raporteve të përgjimit, të vëzhgimit, dëshmive e dëshmitareve por edhe mbrojtën e të pandehurve si dhe veprimet e tjera hetimore, vlerëson se nuk ka arritur të ngritët dyshimi në nivelin e bazuar mirë se të pandehurit Gazmend Syla, Valon Muka,, Çlirim Nimonaj, Lindon Beqiri, Artan Mazrekaj, Erion Alimehaj, Faton Nura, Arsim Molliqaj, Flakron Dedinca, Shkelzen Imeraj, Arian Hajrizi, Triumf Bytyqi, Leonit Zeneli, Muhamet Neziri, Fatmir Jonuzi, Burim Dobroshi kanë kryer veprat penale për të cilat ka filluar hetimit apo është zgjeruar hetimit.

“Andaj, meqenëse pas vlerësimit të provave materiale, mbrojtjes së të pandehurve, raporteve të zbatimit të masave të fshehta, me asnjë provë nuk ka rezultuar se në veprimet e të pandehurve Gazmend Syla, Valon Muka, Altin Krasniqi, Çlirim Nimonaj, Lindon Beqiri, Roland Dedinca, Artan Mazrekaj, Erion Alimehaj, Faton Nura, Flakron Dedinca, Shkelzen Imeraj, Arian Hajrizi, Triumf Bytyqi, Leonit Zeneli, Muhamet Neziri, Fatmir Jonuzi, Burim Dobroshi, të jenë manifestuar elementet esenciale të veprave penale të lartcekura, e që konsistojnë tek qëllimi i përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, ku pa ekzistimin e këtyre elementeve esenciale të kësaj vepre penale nuk ka as vepër penale, pra në këtë rast
mungon elementet esenciale të veprës penale, andaj konsiderojmë se nuk është vërtetuar as ndonjë element tjetër, përfitim pasuror për vete apo për tjetrin”, thuhet në vendim.

Aurora Mulhaxha, avokate e Artan Mazrekaj, ka thënë për Insajderin se “pasi që janë mbyllur hetimet, nuk përjashtohet as mundësia që te niset një proces civil për dëmshpërblim”, derisa ka shtuar, se “siç kam thënë edhe në fillim, për klientin tim ka pasur mungesë provash nga ana e Prokurorisë “.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera