Fokus

“U ndanë para për familje që s’kanë pësuar dëme”, kryetari i Klinës akuzohet për dallavere me subvencionet pas vërshimeve

Autori: H.Smajli 16:13 | 22 February 2023

Qytetarët po akuzojnë kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezajn, për dallavere me subvencionet për dëmet nga vërshimet e fundit që prekën këtë komunë e disa të tjera në Kosovë.

Astrit Boja, shtëpia e të cilit gjendet në Klinë ka thënë për Gazetën Infokus se vlerësimi i dëmeve nga komuna nuk është bërë në mënyrë korrekte.

Ai ka deklaruar se fqinjit të tij i janë ndarë 7 mijë euro, edhe pse uji nuk i ka depërtuar fare brenda në shtëpi derisa atij i është ndarë një shumë më e vogël edhe pse shtëpia e tij ka qenë 1 metër nën ujë.

-Advertisement-

Sipas Bojës edhe banorëve të fshatrave Siqevë dhe Drenoc ani pse sipas tij nuk kanë pësuar ndonjë dëm të madh nga vërshimet, u janë ndarë shumë të mëdha si 7 mijë euro.

“Kojshisë tem ja kanë nda 7 mijë euro. Damet në shpinë tem janë shumë më të mëdha, uji ka hy më shumë se një metër, kjo ndarje nuk ka qenë korrekte dhe është bërë qëllimisht. Janë ndarë para për njerz që s’kanë pasë dëme. Kojshisë tem nuk i ka hy fare uji në shpi, absolutisht asnjë pikë. Te unë veç llusterat kanë mbet vjerr gjanat tjera komplet mi kanë gju jashtë se i ka prishë uji. E asnjë në mahallë tem s’është dëmtu si unë këtë e kanë parë të gjithë aty. 5 mijë e 600 i kanë nda për mu që m’ka ba krejt rrafsh e 6 mijë e 900 për ata që si ka hy uji hiq. Edhe fshatrat që janë ndarë shuma të mëdha për disa banorë e që nuk kanë pasë dëme janë Drenoci dhe Siqeva”, ka thënë, Boja për Gazetën Infokus.

Madje ai ka dërguar edhe pamje të dëmeve të mëdha që vërshimet i shkaktuan në shtëpinë e tij.

Edhe Arben Limani, asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Klinës ka thënë se ka marrë ankesa të shumta nga qytetarët se ndarja e subvencioneve ka qenë e padrejtë.

“Njerëzit benda një fshati janë vlerësu dikush me shuma ma të mëdha dikush më të vogla e dëmet kanë qenë të njëjta. P.sh. mu më kanë ardhë disa qytetarë dhe i kam prezentu edhe me emra ata në seancë në kuvendin komunal. Unë nuk e di nëse ata që janë vlerësuar me këto shuma nga komuna a i kanë pasë realisht këto dëme por përderisa kemi pasë ankesa nga qytetarët e kemi ngrit si çështje. Në të njëjtin fshat ka hy uji ndoshta mbi një metër dikush është vlerësuar me shumë e dikush më pak. Unë jam marrë me ankesat dhe dyshimet e qytetarëve sepse nuk kam dalë në terren me pa gjendjen”, ka thënë Limani.

Limani ka thënë për Gazetën Infokus se ankesat e qytetarëve i ka dërguar edhe në Komunë dhe se pret që ato të rishqyrtohen.

“Unë edhe në Kuvendin Komunal kam bërë ankesë pasi kam pasë disa ankesa që i kanë pasë banorët për vlerësime jo të drejta të dëmeve të vërshimeve. Është thirrë seancë e jashtëzakonshme në Kuvend, dhe kemi kërkuar që këto kërkesa të qytetarëve me u rishqyrtu. Këto janë informatat që kam deri më tash. Janë bërë disa selektime në këto ndarje”

Ndërsa në bazë të listës të publikuar nga Komuna e Klinës, shuma totale e ndarë për dëmet nga raporti i vlerësimit të dëmeve është 3 milionë e 844 mijë euro. Prej tyre 1 milion e 800 mijë janë ndarë për dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, derisa pjesa e mbetur apo 2 milionë e 44 mijë u janë ndarë qytetareve të prekur nga vërshimet. Shumat më të mëdha sipas kësaj liste janë ndarë për bizneset e prekura nga vërshimet.

Lista e çuditshme ku përfitues të shumave të ndryshme janë 3 qytetarë nga Drenoci!

Pjesë e kësaj liste është fshati Drenoc, për të cilin edhe ka pasur ankesa nga qytetarët. Në listën e komunës me emra të përfituesve çuditërisht janë vetëm 3 qytetarë që kanë përfituar që do të thotë në të gjithë fshatin ka pasur vërshime në vetëm tre shtëpi.

R.A nga ky fshat mori 7 mijë euro nga komuna për dëmet nga vërshimet.

Ndërsa nga po i njëjti fshat, V.R i janë dhënë vetëm 700 euro pasi vlerësimit të dëmeve.

Një person tjetër që ka përfituar nga komuna, në këtë fshat është edhe N.Z i cili ka marrë 1 mijë e 100 euro. Pra në të njëjtin fshat janë vetëm tre persona që kanë përfituar dhe shumat dallojnë shumë me njëra tjetrën.

Ndërsa fshati Siqevë për të cilin po ashtu i pari i Klinës po akuzohet se ka bërë dallavere në ndarjen e subvencioneve, sipas listës janë vetëm dy qytetarë përfitues.

Që do të thotë se në të gjithë fshatin vetëm dy shtëpi janë prekur nga vërshimet. Njëri banorë I.R ka marrë 665 euro ndërsa tjetri K.R ka marrë afro 3 mijë euro.

Gazeta Infokus në lidhje me këto akuza ka dërguar pyetje edhe në komunën e Klinës. Por edhe pas tetë ditësh të njëjtit nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për këtë çështje.

Derisa mbetet të shihet nëse ankesat e qytetarëve do të merren parasysh nga komuna./Gazeta Infokus/

Lista e plotë e personave që përfituan nga subvencionet:

Raporti-i-vlerësimit-të-dëmeve.

 

Pas 6 orësh në afërsi të banesës së Adil Behramajt shihen edhe Policia e Kosovës

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera