Lajme

“Turp ministër”, “inate politike”, Murati e Bajrami përplasen për mjetet e komunave

Autori: Gazeta inFokus 14:54 | 04 May 2023

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi të enjten se të hyrat vetanake skadojnë në fund të vitit.

Sipas tij, ato që nuk janë të vitit paraprak, njësoj si ministrisë së Financave, skadojnë të hyrat në momentin kur arrihet mesnata e 31 dhjetorit.

“Ligji e përcakton që përtej këtij afati, mund të barten të hyrat vetanake të vitit 2022, jo viteve të tjera. Edhe komuna edhe çdo organizatë buxhetore e ka obligim me ekzekutu buxhetin që e ka të ndarë”, tha ai.

-Advertisement-

Ai shtoi se çdo projekt ekzekutohet dhe kështu nuk ka asnjë pengesë. Murati akuzoi opozitën se po i pengon marrëveshjet ndërkombëtare duke mos i votuar, vetë për “inate politike”.

“Sa i përket bllokadave që po i bëni për inate politike, s’është hera e parë që për inate politike po t’i bllokuar marrëveshjet ndërkombëtare, keni votuar kundër edhe herët e kaluara. Ky është vetëm një pretekst. Ndoshta mund të jetë inati për Komunën e Prishtinës”, tha ai.

Për këto deklarata, Hykmete Bajrami nga LDK-ja u shpreh e befasuar. Deputetja opozitare u shpreh se deklaratat e Muratit nuk janë të vërteta.

“Edhe ju e dini që nuk janë të vërteta. Ka bllokata, 28.8 milionë ju po refuzoni për një komunë t’i alokoni. Ky është inati juaj, dilni dhe tregoni se do t’i zhbllokoni mjetet. Sa i përket investimeve kapitale, Komuna e Prishtinës ka qenë e para që ka ardhur e para në zyrën tuaj dhe ka kërkuar zgjedhje për çështjen e indeksimit të kontratave për inflacion, por a e dini kur e keni adresuar atë çështje, me një ligj që nuk besoj se po zbatohet, në fund të vitit 2022”, u shpreh Bajrami.

Ajo i bëri thirrje Muratit që të dalë e thotë se do t’i zhbllokojë ato mjete. Theksoi se Muratit duhet t’i vijë turp për këtë situatë.

“Nuk keni asnjë pikë argument dhe dilni këtu t’i akuzoni komunat që i keni bllokuar nga niveli qendror, për t’i ekzekutuar. E keni bllokuar OSHP-në për rreth 11 muaj dhe po i akuzon komunat që nuk i kanë ekzekutuar investimet kapitale. Me të vërtetë duhet me iu ardh turp ministër”, shtoi Bajrami.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera