Lajme

Truss: Duhet të sigurohemi që Ballkani të ketë aftësinë për ta ruajtur sovranitetin

Autori: Gazeta inFokus 09:50 | 28 April 2022

Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, ka bërë thirrje se duhet të armatoset Ballkani Perëndimor.

Truss, derisa ishte duke e mbajtur një fjalim të mërkurën në Mansion House në Londër, ka thënë se bota duhet të marrë mësim nga situata në Ukrainë.

“Britania e Madhe ka dërguar armë dhe i ka trajnuar forcat ukrainase shumë më herët para se të fillonte lufta. Por bota duhet të kishte bërë më shumë për të penguar pushtimin. Nuk do ta bëjmë më kurrë të njëjtin gabim”, ka thënë Truss.

“Disa thonë se nuk duhet të ofrojmë armë të rënda nga frika se mos provokojmë diçka më të keqe. Por mendimi im, është se mosveprimi do të ishte provokimi më i madh. Kjo është një kohë për guxim dhe jo për kujdes”.

“Dhe ne duhet të sigurojmë që, krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia dhe Gjeorgjia duhet të kenë qëndrueshmërinë dhe aftësitë për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre. Politika e derës së hapur të NATO-s është e shenjtë”, ka thënë Truss.

Truss ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë edhe më tej që forcat ruse të largohet nga e gjithë Ukraina, transmeton Klankosova.tv.

Të tjera