Trupi gjykues refuzon një kërkesë të mbrojtjes së Mustafës, thotë se u parashtrua pas afatit të përcaktuar kohor
Autori: Gazeta inFokus 15:00 | 18 July 2022
Në vendimin e marrë më 8 korrik, trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Salih Mustafës për pranimin e dokumenteve të përdorura në marrjen në pyetje të dëshmitarit të thirrur për kundërdëshmi, duke theksuar se e njëjta u parashtrua pas afatit të përcaktuar kohor.
Vendimi thotë se më 27 maj 2022, paneli nxori “Vendimin për kërkesën e Prokurorisë për paraqitjen e provave në kundërshtim”, duke pranuar ndër të tjera kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për të thirrur një dëshmitar për kundërdëshmi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paneli thuhet se gjithashtu urdhëroi palët dhe mbrojtësen e viktimave, nëse dëshirojnë të ofrojnë si provë çdo provë të përdorur gjatë dëshmisë së dëshmitarit, ta bëjnë këtë deri më 3 qershor 2022.
Sipas vendimit, më 3 qershor 2022, paneli pranoi një kërkesë nga ZPS, duke kërkuar pranimin në provë të një dokumenti të përdorur gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të thirrur për kundërdëshmi.
Kurse, mbrojtja për Salih Mustafën thuhet se nuk ka kërkuar pranimin e asnjë artikulli të përdorur në afatin e caktuar.
Ndërkaq, bëhet e ditur se më 20 qershor 2022, paneli vendosi në lidhje me kërkesën e lartpërmendur të ZPS-së dhe konsideroi propio motu artikujt (ose pjesët e tyre) të përdorura nga mbrojtja gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit. Të njëjtën ditë, thuhet se paneli ka marrë “Vendim për mbylljen e procedurës së provave dhe çështjeve të ndërlidhura”.
“Më 23 qershor 2022, Mbrojtja paraqiti “Kërkesën e mbrojtjes për pranimin e dokumenteve të përdorura në marrje në pyetje në kundërshtim”, duke kërkuar pranimin në prova të katër artikujve (ose pjesëve të tyre) të përdorura nga Mbrojtja gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të thirrur në kundërshtim. Mbrojtja pohon se artikujt janë relevante, autentike, kanë vlerë provuese dhe pranimi i tyre nuk do të shkaktonte asnjë paragjykim të panevojshëm për Salih Mustafën”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet se mbrojtja ka shtuar se kërkesa është bërë para fundit të muajit në të cilin dëshmitari ka dëshmuar, në bazë të “Vendimit për zhvillimin e procedurës”, dhe se në kërkesat e mëparshme është kuptuar se pritej të reagonte për çështjet lidhur me dy dëshmitarët e fundit të mbrojtjes dhe dëshminë e ekspertit të thirrur nga paneli.
“Paneli vëren se Mbrojtja ka gabuar në lidhje me afatin kohor të zbatueshëm në situatën aktuale. Mbrojtja parashtron se kërkesën e ka bërë në bazë të afatit të caktuar nga paneli në “Vendimin për zhvillimin e procedurës”, përkatësisht ditën e fundit të punës të muajit kalendarik në të cilin dëshmitari ka dëshmuar”, thotë vendimi.
Megjithatë, sipas panelit, ai afat u zëvendësua nga afati i përcaktuar në vendimin më të fundit dhe specifik “Vendimin mbi kërkesën e Prokurorisë për paraqitjen e provave në kundërshtim”, ku paneli urdhëroi në mënyrë eksplicite palët dhe mbrojtjen e viktimave që të ofrojnë në provë çdo artikuj të përdorur gjatë dëshmisë së atij dëshmitari i thirrur për kundërdëshmi deri më 3 qershor 2022.
Sipas vendimit, paneli thekson se kërkesa e mbrojtjes erdhi 20 ditë pas atij afati kohor dhe pa treguar arsye të mirë.
“Mbrojtja theksoi se kuptohet se në kërkesat e mëparshme pritej të reagonte për çështjet që kanë të bëjnë me dy dëshmitarët e fundit të mbrojtjes dhe dëshminë e ekspertit të thirrur nga paneli. Paneli nuk arrin të shohë se si dhe pse kjo e ka penguar Mbrojtjen që të paraqesë kërkesën brenda afatit të caktuar kohor. Përveç kësaj, paneli thekson se procedurat e provave në rastin aktual u mbyllën më 20 qershor 2022 dhe se palët dhe mbrojtja e viktimave mund të paraqesin prova nga kjo datë vetëm për qëllimin e dënimit”, thuhet në këtë vendim.
Tutje, thuhet se paneli më tej thekson se në çdo rast, artikujt që mbrojtja kërkon të ofrojë tashmë janë gjykuar nga paneli në vendimet e mëparshme, ose në bazë të një kërkese nga ZPS ose proprio motu, dhe janë në dispozicion për qëllime të diskutimeve të panelit për gjykimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarit.
Rrjedhimisht, sipas vendimit, paneli e refuzon kërkesën si të pakohë dhe si të diskutueshme.
“Paneli e konsideron të përshtatshme të theksojë se, në përputhje me nenin 6 (1) (c), (d) dhe (h) të Kodit të Sjelljes, avokatët mbrojtës që ushtrojnë praktikën përpara Dhomës së Specializuar duhet të mbajnë disa standarde themelore profesionale, të cilat përfshijnë veprimin me zell, duke vepruar në përputhje me çdo vendim apo urdhër të një Paneli dhe duke ndërmarrë të gjitha hapat e arsyeshëm për të përmbushur detyrimet e tyre me njohuritë dhe kompetencën e nevojshme profesionale. Më tej, në përputhje me nenin 10 (b) të Kodit të Sjelljes, avokati mbrojtës do të veprojë në kohë dhe në mënyrë efikase”, thuhet në vendim.
Po ashtu, thuhet nga paneli se në situatën aktuale, mbrojtja nuk ka vepruar as me zell, as me kompetencë profesionale dhe as në kohën e duhur.
“Ajo ka dështuar të marrë parasysh afatin kohor të caktuar nga paneli dhe faktin që artikujt që ajo kërkon të propozojë tashmë janë gjykuar. Paneli i kujton avokatit të të akuzuarit dhe ekipit të tij që t’u përmbahen standardeve profesionale të përcaktuara në Kodin e Sjelljes”, thuhet në vendim.
Vendimi thotë se për arsyet e lartpërmendura, paneli refuzon kërkesën e mbrojtjes.
Në këtë rast, në shtator të këtij viti, pritet që palët të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare.
Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...