Lajme

Trump: OBSH dështoi në detyrën e saj, duhet të mbajë përgjegjësi

Autori: Gazeta inFokus 13:49 | 22 April 2020

Presidenti Trump ka njoftuar tërheqjen e fondeve ndaj Organizatës Botërore të Shëndetit, si një prej financuesve kryesor të saj, nisur nga tensionet mes Tajvanit dhe OBSH-së, duke shkaktuar reagime të shumta mbështetëse dhe kritikuese.

Sipas Trump, “OBSH dështoi në detyrën e saj themelore dhe duhet të mbajë përgjegjësi për këtë,” ndaj SHBA ka vendosur ndalim të financimit. Ai shtoi se nëse agjencia do të kishte bërë punën e saj, “kjo do të shpëtonte mijëra jetë njerëzish dhe do të shmangte dëmtimin ekonomik në mbarë botën”. Duke iu referuar këtu mungesës së dhënies së informacionit në kohën e duhur për Tajvanin, për transmetimin e virusit nga njeriu tek njeriu.

Sipas prestigjiozes amerikane Wall Street Journal Presidenti Trump nuk ekzagjeron në kritikat e tij. Përgjatë dekadave të fundit OBSH është përqendruar më pak në misionin e saj kryesor, pasi shpenzon më shumë fonde në promovimin e kujdesit shëndetësor apo duke sulmuar kompanitë e duhanit. Sipas WSJ aktualisht botës i nevojitet një institucion global kompetent për të ofruar këshilla për shëndetin publik dhe për të koordinuar reagimet ndaj përhapjeve të sëmundjeve në përmasa globale. Sipas disa përllogaritjesh, vetëm 15% e buxhetit të OBSH i është dedikuar reagimit të pandemisë.

-Advertisement-

Prej muajit Janar 2020 OBSH ka qenë në qendër të sulmeve për qasjen e butë që ka pasur ndaj regjimit kinez. OBSH që në janar i besoi pretendimeve të Kinës se virusi nuk transmetohet nga njeriu te njeriu. Ndërkohë që në dhjetor, Tajvani kishte paralajmëruar këtë organizatë se Kina po fsheh faktin se një patogjen ngjitës ka nisur të qarkullojë në popullatë.

Po ashtu, OBSH në deklaratat e saj publike gjatë asaj periudhe mbështeti përpjekjet e qeverisë kineze për të mos bllokuar udhëtimet nga Kina, ku bazohen sot dhe akuzat e presidentit Trump, se janë pikërisht udhëtarët që përhapën epideminë nga Kina në mbarë botën.

OBSH mbështeti statistikat e ofruara nga Kina, edhe pse që në fillim ekspertët hodhën dyshime mbi besueshmërinë e tyre. Shtëpia e Bardhë tha se bazuar mbi statistikat që ofroi Kina, ata menduan se korona virusi nuk do jetë më i rrezikshëm se SARS në vitin 2002, që infektoi 8 mijë njerëz. Por kur korona virusi goditi Italinë dhe Spanjën, u kuptua se shifrat e Kinës nuk ishin të besueshme.

Ndërkohë kryeministri australian Scott Morrison, si një ndër 3 financuesit kryesor të OBSH pas SHBA dhe Kinës ka mbështetur disa nga kritikat e Trumpit ndaj OBSH-së dhe Kinës por është shprehur se Australia do të vazhdojë të financojë agjencinë shëndetësore të OKB-së. “Ne punojmë ngushtë me ta në mënyrë që të ndihmojmë. Por ata gjithashtu nuk janë imunë ndaj kritikave.”

Vendimi i Morrison është komentuar dhe nga politik bërësit Australian të cilët janë shprehur se qeveria e tyre duhet të financojë OBSH në të ardhmen vetëm nëse ata reformojnë praktikat e tyre.

Nga ana tjetër ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, është kundërpërgjigjur me kritika ndaj njoftimit të Trumpit. “Vënia e fajit nuk ndihmon. Virusi nuk njeh kufij. Ne duhet të punojmë ngushtë kundër COVID-19. Forcimi i OKB-së, veçanërisht OBSH-së, e cila nuk është financuar sa duhet në vazhdimësi, është një investim i mirë, për shembull, për të zhvilluar dhe shpërndarë teste dhe vaksina.”

Në aspektin vendimmarrës, Presidenti Trump nuk mund të ndërpresë përgjithmonë fondet e OBSH-së pa mbështetjen e Kongresit, dhe Administrata e tij do të duhet të punojë me Kongresin për t’u koordinuar për disbursimet e ardhshme të SHBA. Dhe nëse SHBA zvogëlon kontributin e saj financiar, Kina do të rrisë mbizotërimin në OBSH.

Gjatë dy viteve të fundit SHBA ishte financuesi kryesor duke kontribuar me afro 1.4 miliardë dollar, ndërkohë që Kina ka dhuruar vetëm 133 milion dollarë për të njëjtën periudhë, e ndjekur nga Australia me 35.23 milion dollarë për OBSH, dhe 70.16 milion dollarë të tjerë në dhurime vullnetare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera