Lajme

Trump: Memorandumi më ka “shfajësuar plotësisht” nga çështja ruse

Autori: Gazeta inFokus 11:20 | 04 February 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pretenduar se ai është shfajësuar plotësisht pas publikimit të memorandumit të shkruar nga republikanët, i cili supozon se FBI-ja ka abuzuar me fuqinë e saj, gjatë një hetimi për lidhje të mundshme në mes të fushatës së Trumpit për president dhe Rusisë.

Përmes një postimi në Twitter më 3 shkurt, Trump ka thënë se “ky memorandum shfajëson plotësisht “Trumpin” në hetime. Mirëpo gjuetia e shtrigave ruse vazhdon e vazhdon”.

Trump ka ripërsëritur se nuk ka pasur bashkëpunim.

-Advertisement-

Ky memorandum i publikuar më 2 shkurt pretendon, se FBI-ja kur ka aplikuar për një kerkesë për vëzhgim të një prej bashkëpuntorëve të fushatës së Trumpit, është bazuar në një ish-agjent britanik, raporti i të cilit ishte financuar nga demokratët.

Memorandumi kontravers akuzon FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë për qasje paragjykuese.

Demokratët kanë thënë se memorandumi është redaktuar në mënyrë selektive nga republikanët, për të larguar vëmendjen nga hetimet e komitetit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale më 2016.

Demokratët e Kongresit kanë paralajmëruar se Trump mund të nxisë “krizë kushtetuese” nëse përdor dokumentin si pretekst për ta shkarkuar Muellerin.

Demokratët po ashtu kanë thënë se shpresojnë ta publikojnë memorandumin e tyre më 5 shkurt./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera